“Deja vu” si me Ançelotin, e pranon edhe presidenti i Bajernit: Shkarkimi i Kovaç edhe nga lojtarët

Bajerni i Mynihut dhe trajneri Niko Kovaç kanë ndarë rrugët e tyre pak kohë më parë dhe shkak për këtë u bënë rezultatet e munguara për bavarezët. Madje çdo gjë e vulosi dhe ajo humbje turpëruese me shifrat 5-1 ndaj Frankfurtit. Një “deja vu” kjo te klubi gjerman, teksa në të njëjtën mënyrë ndodhi largimi nga stoli edhe për Karlo Ançelotin, me të cilin Bajeri ndërpreu marrëdhëniet pas humbjes që ekipi mori ndaj PSG-së me rezultatin 3-1.

Madje situata vazhdon të jetë e njëjtë edhe për faktin se në të dyja rastet, largimin e trajnerëve e kanë dëshiruar edhe lojtarët. Këtë gjë e ka konfirmuar vetë presidenti i klubit bavarez, Uli Hënes, që në një intervistë për “ZDF Sport” ka thënë: “Ishin me siguri disa njerëz në ekip të cilët donin që Kovaç të largohej”. Në të njëjtën mënyrë siç ndodhi me rastin e teknikut italian, që gjatë kohës kur ishte në krye të Bajernit la në stol shumë futbollistë të rëndësishëm të ekipit, gjë që bëri të mundur lindjen e pakënaqësive te këta të fundit. Në fund rezultati ishte i njëjtë, një trajner që lë vendin për një tjetër./Sport Ekspres/