Dedikim për Kombëtaren, Batha ironi për Sukajn: Të kanë vjedhur Instagramin?

Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë një rezultat zhgënjyes mbrëmjen e djeshme, ku kanë barazuar me rezultatin 2-2 ndaj Andorrës. Një kundërshtar i lehtë në letër, por që në fushën e lojës i mohoi kuqezinjve 3 pikët. Megjithatë Kombëtaren shqiptare nuk e kanë lënë në baltë tifozët, teksa sulmuesi i Flamurtarit, Xhevahir Sukaj, ka shpërndarë në rrjetin e tij social të “Instagram”-it një foto të lojtarëve kuqezinj të shoqëruar me fjalët:

“Kur ekipi i vendit tënd përfaqëson në çdo kompeticion dhe kundër çdo kundërshtari krenon çdo qytetar, me çfarëdolloj rezultati qoftë. Këta që zhvlerësojnë ekipin kombëtar kur ekipi nuk fiton, po këta zbehin edhe kur fitojmë. Krenar për të gjithë ata që na përfaqësojnë”.

Sukaj ka shprehur krenarinë e tij për Shqipërinë, pavarësisht rezultatit të marrë, madje këtë thirrje ka edhe për tifozët e tjerë, që të tregojnë mbështetjen e tyre në çdo moment. Por ajo që bie në sy është komenti që një tjetër futbollist, Idriz Batha ka lënë për të, duke u shprehur paksa i habitur nga fjalët e Sulmuesit të Flamurtarit. “O Xhevahir të kanë vjedhur Instagramin?”, ka komentuar lojtari i Tiranës./Sport Ekspres/