Debutimi, golat dhe objektivat, Sindrit Guri: Synoj të shënoj 15 gola për Ostenden

Ishte vetëm një miqësore. Por, me dy golat e shënuar Sindrit Guri e dha mesazhin e tij për Ostenden. Transferimi në Belgjikë ishte vetëm hapi i parë, sepse sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk mjaftohet me kaq. Në intervistën për Sport Ekspres, shkodrani 24-vjeçar zbulon se kërkon të jetë protagonist dhe të shënojë me rregullsi, për të qenë ai bomberi i skuadrës në Jupiler Ligë.

Sindrit nuk kishte mënyrë më të mirë për të debutuar te Osdende, me dy gola në miqësoren e parë, ku edhe pse u aktivizove nga stoli i dhe fitoren skuadrës…

Ishte ndeshja e parë dhe doja të paraqitesha sa më mirë, pavarësisht se nuk kishte asnjë lloj presioni te unë. Dëshiroja të paraqitesha sa më mirë për veten, edhe pse me klubin jam bashkuar vetëm më datën 25 dhe nuk kisha kohë mjaftueshëm. Megjithatë arrita të shënoja dy gola, që edhe pse ishte thjeshtë miqësore ishin të vlefshëm sepse skuadra po humbiste, por e përmbysëm rezultatin dhe fituam 2-1. Unë dua të vazhdoj kështu dhe të ndihmoj ekipin.

Si u ndjeve me ekipin, si të pritën te Ostende dhe çfarë përshtypje ke nga përshtatja në lojë pas miqësores?

Mendoj se jam përshtatur mirë. Djemtë e  ekipit janë mjaft të mirë, janë në moshë të re dhe ambientimi bëhet më i lehtë. Përsa i takon ndeshjeve, nëse unë mundohem të jap më të mirën edhe ata do të punojnë për mua, në mënyrë që të shënoj sa më tepër gola. Për momentin nuk mu krijua ndjesia se kemi mospërshtatje, tashmë të shohim si do të vijojë në ndeshjet e tjera miqësore që do të kemi.

Një sulmues duhet të shënojë, por çfarë pritshmërie kanë shprehur trajneri apo drejtuesit e klubit?

Për aq kohë sa erdhën deri në Shqipëri për të më vëzhguar dhe u ulëm në bisedime, klubi këtë interes ka. Dëshira që shfaqën për të më afruar mjafton për mua. Ostende më ka blerë për të shënuar sa më tepër gola dhe unë për këtë ndodhem këtu. Kjo është e rëndësishme, golat.

U aktivizove nga stoli, por dhe menjëherë sinjalet se dëshiron të jesh protagonist dhe titullar. Kampionati në Blegjikë nis në fund të korrikut, a beson se do të jesh titullar në javën e parë?

Mendoj dhe shpresoj që do t’ia arrij. Por, duhet të jap më të mirën dhe po punoj çdo ditë që ta bind stafin teknik se e meritoj të jem pjesë e formacionit. Shoh edhe nivelin këtu dhe besoj se kjo është diçka mëse e arritshme.

Klubi ka traditën që prezanton futbollistët e rinj përpara tifozëve. Çfarë ndjesie të dha ai moment dhe çfarë mesazhe more nga tifozët?

Me atë që vura re, ditën e parë kur u prezantova përpara tifozëve, janë njerëz që e duan shumë futbollin. Mundohen që ta mbështesin sa më shumë ekipin e tyre, janë shumë të pasionuar pas lojës dhe pas Ostendes. Kjo është gjë e mirë sepse futbolli për tifozët luhet. Duhet të ndihemi mirë edhe unë personalisht edhe skuadra, që kemi mbështetje plus.

Çfarë synimi i ka vënë Sindriti vetes për sezonin e ri, për një sulmues përcaktohet një kuotë e caktuar golash…

Të gjithë i vendosin vetes objektiva. Synimi im është që të realizoj pak a shumë 15 gola. Mendoj që kjo do të ishte një shifër e mjaftueshme për mua, por edhe mëse e arritshme.

Paraqitjet te Ostende do të ndihmonin që të jesh edhe pjesë stabël e ekipit Kombëtar, pas debutimit në miqësoren me Kosovën, sa optimist je për këtë fakt?

Është kënaqësi të luaj për Kombëtaren dhe do të jap më të mirën për ekipin. Normalisht çdo futbollist dëshiron të përfaqësojë ngjyrat e vendit të vet. Për Kombëtaren jam gjithmonë i disponueshëm dhe do të jap përherë maksimumin. Shpresoj që ftesat të vijnë rregullisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *