Debatiku, një film që mbërrin në fundin e titrave!

Anton Cicani

Ka një fillim dhe ka një fund… Gjithmonë! Ndoshta, nuk duam ta besojmë, ndoshta i themi vetes se fundi nuk do të vijë dhe thjesht jetojmë realitetin. Por, kur akrepat e orës shënojnë momentin, ai vjen dhe si papritur duhet të mendosh për diçka tjetër!

Fjala “debatikas” do të thotë “anëtar i organizatës antifashiste” dhe sigurisht që ata që kanë parë filmin “Debatik” mbajnë mend edhe protagonistin kryesor, Colin, i cili për të mbrojtur atdheun e tij dha edhe jetën, duke vendosur veten përpara plumbave…

Të gjithë që e mbajnë në krah, të gjithë që qajnë për të dhe të gjithë që mendojnë se ndoshta një gjest vlen sa një jetë…

Nuk duhet të jetë një film tragjik ai i Debatikut, këtë herë, Currit, por sigurisht që të lë pas mendime dhe kujtime. Një futbollist shembullor në fushë, një lojtar fantastik, fjalëpakë dhe punëshumë.

Jo më kot, Oto Bariç, 12 vjet më parë, do ta merrte në kombëtaren e Shqipërisë, duke i dhënë mundësinë të debutonte. Sot, faqja zyrtare e Prishtinës, aty ku e nisi dhe aty ku e mbylli karrierën si futbollist, lajmëroi tërheqjen e tij, për t’i shtruar tapetin në një aventurë të re, po aq emocionuese, si pjesëtar i stafit bardheblu.

Ngjyra që veshi edhe në Shqipëri, me Tiranën. Një karrierë e pasur e mbrojtësit të lindur në Prishtinë, por që mbajti ngjyrat kuqezi për shumë vite, duke e veshur atë fanellë 44 herë dhe shënuar një gol.

Pati edhe kënaqësinë dhe emocionit të vishte edhe fanellën e Kosovës, vendlindjes së tij.

Ukraina ishte si një familje e dytë për të, edhe pse shpesh largësia e bluante. Vorskla Poltava,a Hoverla Uzhhorod dhe Sevastopol ishin një libër me kapituj, por në mes edhe një aventurë e shkurtër te Gençlerbirlixhi dhe Tirana e Flamurtari në Shqipëri.

Deri te bileta e kthimit, në shtëpi, te Prishtina. Sot është 34 vjeç, por që sigurisht, për ata që e kanë njohur, vazhdon të ketë të njëjtin pasion. Sepse “debatikasit” nuk dorëzohen. Apo jo, Debatik?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *