Debati për tribunat në derbi, zyrtari i Partizanit: Mbajmë përgjegjësi në stadium, jo në rrugët e qytetit

Një debat ka lindur para derbit mes Partizanit dhe Tiranës, sa i përket tribunës ku do të akomodohen bardheblutë. Përballja do të zhvillohet në “Air Albania”, me një atmosferë të zjarrtë dhe që do të krijojë spektakël në kampionatin shqiptar.

Tirana ka kërkuar që të ulet në tribunën “Fatmir Frashëri”, ndërsa organizatorët e Partizanit kanë vendosur një tjetër tribunë, “Vasillaq Zëri”. Por çfarë ka ndodhur saktësisht dhe përse kjo mosmarrëveshje? Gjithçka e zbulon sekreti i Partizanit për “Balkanweb”, Gerald Burba:

“Ishte mbledhja e zakonshme përpara një derbi, mbledhje që u zhvillua në Drejtorinë e Policisë mes përfaqësuesve të Partizanit, të Tiranës, delegatit të FSHF Bujar Pregja dhe drejtuesve të policisë. Ne, si pala organizatore, paraqitëm masat e sigurisë dhe hartën e ndarjes së tribunave së tifozëve.

Drejtuesit e Policisë kërkuan gojarisht ndryshimin e tribunave për shkak të organizimit të jashtëm të tifozëve dhe faktit se ata u shqetësohen marshimeve të grupimeve. Këtë ide e mbështeti dhe Tirana, por kërkesa e tyre ishte e lidhur vetëm me emrin që mban tribuna.

Pas këtyre kërkesave, u bëmë me dije drejtuesve të policisë se Partizani, si organizator i ndeshjes, mban përgjegjësi për atë çka ndodh në stadium dhe jo për atë që ndodh në rrugët e qytetit. I sqaruam përfaqësuesve të policisë se tribuna “Vasillaq Zëri” është projektuar për tifozëritë mike dhe ka të gjitha elementët e sigurisë që na garantojnë mbarëvatjen e ndeshjes. Jo më kot kemi lënë bosh dhe një sektor të stadiumit, për ta rritur edhe më sigurinë, që tifozët të shijojnë një ndeshje model për kampionatin shqiptar”, tha Burba. /Sport Ekspres/