Debati i madh mes Andi Lilës dhe Fidel Yllit: Përmende llogje kavaje, do i them nja dy fjalë

“Ligji i Sportit” dhe ndihma që duhet të jap shteti për të përparuar dhe zhvilluar sa më shumë sportin shqiptar në tërësi është gjithmonë një temë diskutimi. Padiskutim që në këtë drejtim duhet të bëhet shumë, pasi edhe në Kosovë që është një vend i njohur para pak vitesh nga shtetet e tjera dhe mes shumë problemeve, sportistët kanë më tepër mbështetje nga qeveria.

Pikërisht mbi këtë temë ka debutuar edhe Andi Lila me deputetin Fidel Ylli. Ky i fundit është mbrojtur duke u shprehur se ligji ka kaluar, por meqë Lila është një futbollist, atëherë nuk lexon shumë pasi nuk i del koha.

Madje duke thënë edhe se sporti nuk do “llogje kavaje”, megjithëse kjo e fundit duhet të ketë qenë një autokritikë për sjelljen e partisë që përfaqëson kundrejt zhvillimit të sportit.

Debati i plotë i publikuar nga “ABC News”:

ANDI LILA – “Që futbolli jonë të ecë përpara, duhet të ketë disa prioritet edhe nga qeveria që të kalojmë në një nivel tjetër. Kemi pasur shumë gënjeshtra këto kohë. Na thuhet që miratohet ligji në shtator, tetor dhe më pas në dhjetor. Duhet bërë edhe statuti i sportistit, pasi ka shumë që përfundojnë në rrugë. Shteti duhet të ndihmojë. Ka vite që në Shqipëri prishën fushat dhe bëhen ndërtime. Futbolli ka nevojë për terrene. Flas për vete, kemi dalë nga fushat e zeza, me qymyr. Normalisht do kenë prioritet lojtarët që luajnë jashtë. këtu në Shqipëri duhet menduar ndryshe. Trashi luajti shumë mirë, duhet të nxjerrim shumë si ai. Nuk është kampionati që duam. Duam të jetë konkurrues. Ka talente. Ligji i sportit dhe statusi i sportit duhet bërë”.

FIDEL YLLI – Dua të them se sportistët në përgjithësi nuk lexojnë, pasi stërviten shumë. Kemi kaluar një ligj, që nuk është i përkryer, por ka marrë bekimin e federatave. FSHF ka pasur përfaqësues dhe kanë dhënë aprovim. Brenda ligjit janë futur shpërblimet, me statusin e sportistit elitar. Janë të gjitha të përcaktuar dhe kanë përfitime ata që kanë arritje. Është një ligj mjaft i mirë, me 64 nene. Dikur kërkonin lëmoshë sportistët për imazhin e mirë që i jepnin Shqipërisë. Sporti nuk do vetëm llogje Kavaje, do para dhe investime. Jam një zë i fuqishëm që flas për sportin. U bë stadiumi i Elbasanit, i Shkodrës, po bëhet i Kukësi, Tirana Olympic Park, po bëhet Arena Kombëtare”.

ANDI LILA – ‘Me shumë respekt për zotin Fidel. I them që jemi 30 herë më pak se Kosova. Bëjmë dy herë në stërvitje dhe s’kemi kohë të lexojmë, por unë e kam lexuar ligjin. Nuk ka status sportisti”.

FIDEL YLLI – “Unë e kam miratuar dhe jam nismëtar. Mund të debatojmë përballë, jo unë këtu e ti në televizor”.

ANDI LILA – “Përderisa përmendet llogjet e Kavajës, do i them dy llafe. Shumë futbollistë në vendin tonë, në 20 vite karrierë nuk i janë paguar sigurimet. E dini këtë? U futëm në këtë temë, ndaj po flas. Braçe tha që në shtator do kalojmë ligjin e nuk ka kaluar”.

FIDEL YLLI: – “Mos t’i ngatërrojmë Ligjin e Sportit dhe atë për sponsorizimet. Këta i ka Ministria e Financave”.

ANDI LILA: – “Kam edhe një fjali. Do ketë debate, por duhet të shkojmë në të njëjtën linjë. Nëse na lini një takim të enjten, vij e flas për të mirën e sportit. Edhe pse tha “lloqe Kavaje”, unë e di që ai është për të mirën e sportit”.