Debati/ Gazetari kritikon Çinarin në studio: Festoje golin ose mos luajë fare kundër Vllaznisë

Në momentin kur Vllaznia ishte shumë pranë daljes me pikë nga fusha kundër Partizanit dhe po kërkonte edhe fitoren, në stadiumin e mbushur, erdhi zhgënjimi i madh. Jo vetëm që pësuan golin, por rrjeta e tyre do të tundej nga Eraldo Çinari.

Pavarësisht se ky i fundit i lehtësoi disi duke mos festuar dhe duke i respektuar, në fund dolën nga stadium me 0 pikë. Tashmë është gazetari Denion Ndrenika që ka kritikuar në studion e “Ora Sportit” futbollistin në fjalë. Kështu Ndrenika është shprehur se goli duhet të festohet, ose në të kundërt Çinari duhej të kishte zgjedhur që të mos luajë fare kundër Vllaznisë. /Sport Ekspres/

Debati në Ora Sport

Erald Çinari: “Nuk jam as i pari dhe as i fundit që nuk kam festuar kur kam shënuar. Shumë lojtar të mëdhenj shkodran nuk kanë festuar kur i kanë shënuar ekipeve ku janë rritur.  Unë aty jam rritur. Normalisht do ndihemi keq. Ndjesia është ndryshe kur i shënon ekipit ku je rritur dhe ndryshe një ekipi tjetër”.

Ndrenika: “Ky fenomen është në modë. Por nuk më pëlqen. Goli është shpërbilimi i punës që ke bërë gjithë javës. Duhet të festosh, jo të thuash më fal. Nëse të vjen keq mos luajë kundër ish-ekipit”.

Çinari: Kështu e ndjej, por unë jam profesionist dhe normal që do t’i shfrytëzoj rastet që kam për të ndihmuar skuadrën time.