Debatet e pathëna

0

Nga Gjergji Stefa

Xhaka dhe Abrashi nuk janë të parët në 5 vitet e fundit që në mënyrë deri diku demonstrative janë ankuar për trajtimin sportiv që i ka bërë trajneri De Biazi, megjithatë, ashtu si edhe në “incidentet” e tjera, edhe këtë radhë teorikisht këtë ndeshje e ka fituar trajneri. Askush, për asnjë arsye, nuk mund të braktisë grumbullimin kuqezi dhe pavarësisht preferencave të trajnerit ata janë aty për të kontribuar në fushë, bankinë, apo në tribunë për ngjyrat e flamurit. E parë në këtë sens, opinioni është në unison kur komenton se sjellja e dy lojtarëve ndër më kryesorët nuk është e denjë dhe absolutisht nuk është modeli që duhet ndjekur.

Praktikisht ata janë vetëndëshkuar në një marrëdhënie që mesa duket i ka rrënjët e komplikuara që te ai zëvendësim kundër Zvicrës në Europian për Taulant Xhakën. Por, sepse ka gjithnjë një por, gojët e liga rreth ambientit të përfaqësueses, të liga sado qofshin, por që çuditërisht në një vend si ne këto gojë, kanë diçka nga e vërteta brenda, thonë që mesa duket nuk është hera e parë në kalvarin e gjatë të konflikteve që trajneri dhe disa futbollistë kanë pasur në 5 vitet e drejtimit të tij në pankinë.

Fillimisht ishte Cani, më pas Kaçe, deri diku Gashi, në hije dhe Mavraj, Xhaka dhe qoftë dhe mënyrë të heshtur dhe Abrashi. Asnjë rast nuk i ngjan tjetrit dhe pothuaj gjithnjë mund të gjesh arsye njerëzore për shfajësuar lojtarët e pse jo ca më shumë dhe trajnerin. Megjithatë, duke qenë se të gjykosh një grup të tërë është e pamundur, lipset t’i hedhësh sytë pak dhe nga karakteri sportive i de Biazit. Konfliktual, shpesh herë arrogant, në ndonjë rast sjellje e papëlqyer dhe jo rrallë deri diku “grindavec”.

Për sa kohë rezultatet i jepnin të drejtë, askush nuk guxonte që këto grimca debatesh t’i shndërronte në një debat, por patjetër që kur edhe rezultatet nuk “janë” atëherë me siguri që ndonjë sy kritik fillon e sheh disi edhe atë të paprekshmin, trajnerit i cili ashtu si u trajtua, në ndonjë rast madje ka menduar: Përse nuk më bënë një bust?

Më shumë se sa të pakënaqur, ajo për të cilën duhet të shqetësohemi janë pakënaqësitë te ata të cilët prej muajsh kanë filluar t’u bien kambanave. Në këtë ekip diçka nuk shkon, brenda fushës nuk është ekipi i Europianit, nuk është grinta, shpirti dhe mbi të gjitha përqendrimi që na dërguan deri në Francë. Jashtë fushës pastaj është një temë e gjatë, e mbushur me momente nervoze dhe pakënaqësie, replika, ngritje tonesh, por ndoshta përqafimesh kur gjërat kanë shkuar mirë.

Nëse futesh në tunelin e dhomave të zhveshjes, aty pak a shumë të gjithë ndajnë të njëjtin mendim. ‘Ky është një trajner i madh, por një njeri jo dhe aq i tillë’. Paguhet 42 mijë euro në muaj për të bërë trajnerin dhe kur nuk arrin dot suksesin apo objektivin e pritur, fillojnë të merren dhe me njeriun. De Biazi ka qenë gjithnjë i tillë me Xhakat dhe Abrashët, por tani nuk ka rezultatet me vete. Dhe kur nuk ke rezultatin, debatet e pathënë fillojnë e thuhen në publik.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image