Debate me trajnerin, përjashtohet Bushati

Një sms e ndihmëstrajnerit Bilali e ka larguar lojtarin e Breshias nga hoteli, ndërsa tashmë nuk do të jetë pjesë e kuqezinjve në paraeliminatore

Gjergj Vyshka

Franko Bushati, lojtari i Serisë A në Itali, ndërsa luan me Breshian, nuk është më pjesë e kombëtares së të rriturve të Shqipërisë. Që nga dita e djeshme, ndërsa është lajmëruar me një sms nga ndihmëstrajneri i kuqezinjve, Afrim Bilali, se duhet të lërë hotelin ku qëndron e grumbulluar kombëtarja e Shqipërisë, quhet i përjashtuar nga përfaqësuesja. Sipas të gjitha burimeve të besueshme, debati mes tij dhe trajnerit Kostantinides ka lindur të martën në një seancë stërvitore, ndërsa në një interpretim aksioni, apo dhe loje, ka kërkuar personale. E në fakt, edhe duke qenë shok me Shimën, kanë hedhur topin ndaj njëri-tjetrit, por krejt pa qëllim. Dhe në këtë moment Kostantinides, ndërsa më parë kishte treguar se si për çështje disipline në skuadrat ku ka qenë ka goditur dhe ka tërhequr zvarrë dhe lojtarë të tjerë, e ka nxjerrë jashtë Bushatin. Në fakt duket se nuk është thjeshtë çështje e debatit të së mërkurës, sepse burime të tjera jo zyrtare kanë konfirmuar se vazhdimisht Bushati ka kthyer fjalë nga trajnerit në stërvitje. E megjithatë, deri më tani, nuk ka asnjë version zyrtar për atë që ka ndodhur mes Kostantinides dhe Bushatit, një lojtar që kombëtarja për atë çfarë disponon e kishte domosdoshmëri në ekip për raundin paraeliminator.

Federata

Gazeta “Sport Ekspres” për të ditur më shumë rreth asaj që ka ndodhur mes Kostantinides dhe Franko Bushatit ka kontaktuar me sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. Sipas tij është duke u pritur raporti i trajnerit Kostantinides dhe më pas do të shihet dhe do të vendoset. “Janë çështje teknike dhe si i tillë nuk mund të ndërhyjmë në atë që vendos trajneri. Ne jemi duke pritur raportin e tij për të ditur se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Bushatit. E më pas do të vendosin, sepse ne kemi të drejtë që përpara Komitetit Drejtues të japim raportin e trajnerit”, ka thënë Llazani, kurse në kombëtaren e basketbollit nuk janë të rralla rastet e përjashtimit të lojtarëve për indisiplinime. Kështu ka ndodhur më 2011-ën po me Bushatin kur trajner ishte Mark Dikel, kështu ka ndodhur më 2012-ën kur janë larguar Lasku, apo dhe Daliu, ndërsa trajner ishte Roland Avrami. E vërteta është se kombëtarja e të rriturve ka pak lojtarë cilësor dhe si të tillë duhen gjetur mënyra për t’i mbajtur për të mos kaluar në debate që nuk i shërbejnë qëllimit. Por gjithsesi ai që vendos është trajnerit dhe këtë rast në largimin e Bushatit nga kombëtarja, Kostantinides duhet të ketë pasur më shumë se sa të drejtë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim në qëndrimin e Federatës Shqiptare të Basketbollit me këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *