De Vrij “thumbon” Ronaldon: Ju tregoj sulmuesin më të fortë!

Stefan De Vrij ishte një nga afrimet e goditura të Interit këtë verë. Zikaltrit e ndiqnin prej kohësh dhe fituan garën me Lacion që po tentonte ta bindte të rinovonte me holandezin. Nga ana tjetër pas tij ishin edhe klube të tjera, më i lakuari Mançester Junajtid. Mbrojtësi në fund u vesh zikaltër.

Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për “Corriere dello Sport”, teksa flet për nisjen e kampionatit, garën me Juventusin dhe transferimin e Kristiano Ronaldos te bardhezinjtë. De Vrij ndërkohë zbulon edhe sulmuesin më të fortë me të cilin është përballur dhe ai nuk është CR7.

STARTI DHE OBJEKTIVI – “Sigurisht që nuk jam i kënaqur me rezultatet e marra. Është për të ardhur keq që kemi humbur pesë pikë në tre ndeshjet e para. Gjithsesi jemi në rrugën e duhur. Në ndeshjen e fundit pashë një Inter të mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Objektivi? Ta përfundojmë kampionatin në katër vendet e para dhe të konfirmohemi në Champions.

ANTI-JUVENTUS – “Nuk i lexoj shumë gazetat italiane, si dhe nuk dëgjoj shumë programe televizive. Kam mësuar të mos kushtëzohem dhe të përqendrohem në fushë. Më mirë të mendosh për ndeshjen e radhës, ndryshe anti-Juventusi kthehet në fiksim dhe ne do të flisnim vetëm për këtë”.

“Toti ka thënë se Juventusi do të bëjë një kampion më vete? Nëse shohim organikën, Juventusi është ai që ka më shumë cilësi. Por në futboll mund të ndodhë gjithçka. Sezoni është i gjatë”.

KRISTIANO RONALDO – “E pranoj, në fillim nuk e besoja se do të vinte në Itali. Por kur vazhdohej të flitej akoma, atëherë… Për futbollin italian ardhja e tij është pozitive, pasi është një nxitje e madhe për të gjithë”.

“Po mendoni për përballen me Ronaldon? E kam sfiduar me kombëtaren, në një miqësore kundër Portugalisë para Kupës së Botës 2014. Përfundoi 1-1 dhe shënoi në fund, por pas një goditjeje këndi”.

“Sulmuesi më i fortë më të cilin jam përballur? Është Kilian Mbape”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *