De Ligt flet hapur pas rënies te Juventusi: Te Ajaksi ndihesha i pathyeshëm, se kuptoj përse…

Investimi i madh i Juventusit për De Ligt dhe besimi që kishin krijuar tifozët bardhezinjë për mbrojtësin holandez, nuk po shpërblehet në mënyrën më të mirë. Të paktën jo në këtë fillim sezoni, pasi prapavija te kampionët e Italisë po çalon së tepërmi.

Pastaj kur nis krahasimi edhe me De Ligt e Ajaksit, atëherë diferencat dhe polemikat janë edhe më të mëdha. Por sigurisht që ky krahasim nuk është tërësisht me vend, pasi flitet për dy klube të ndryshme. Në një prononcim për “Fox Sport”, De Ligt ka folur edhe mbi këto momente të vështira:

“Te Ajaksi unë ndihesha i pathyeshëm, sot është ndryshe. Por mendoj se është normale se gjithçka rreth kësaj aventure është e re për mua. Jam duke përparuar dhe nuk shqetësohem. Nuk e di as vetë se përse nuk po luaj ashtu siç dua. E gjitha ajo që mund të bëj është të vazhdoj dhe të mësoj nga ekipi”, ka thënë De Ligt. /Sport Ekspres/