De Ligt: Adhuroja mbrojtësit italianë, jam rritur me legjendat e Milanit

0

Matijs De Ligt ndihet i lumtur dhe krenar që do të luajë me Juventusin. Gara për shërbimet e mbrojtësit të talentuar ishte e fortë, por bardhezinjtë ruajtën qetësinë dhe u shpërblyen në fund.

Edhe pse vetëm 19-vjeç, holandezi ka shumë personalitet. Kjo veti dallohet kur lufton për të ndaluar kundërshtarët në fushën e blertë, por edhe në fjalimet e tij jashtë tyre.

Sot erdhi zyrtarizimi i kalimit të tij te Juventusi dhe De Ligt ka zgjedhur të shkruajë diçka në rrjetet sociale, kombinuar me një video të bukur. Aty shfaqet i vogël me bluzën e “Zonjës së vjetër”, ndërsa idhujt e tij janë shumica milanistë.

Jam i lumtur që jam veshur bardhezi dhe jam gati për Juventusin. Ishte momenti për të hedhur një hap para në karrierë. Gjithmonë jam mahnitur dhe e kam adhuruar mënyrën se si mbrojnë italianët. Ka shumë futbollistë të cilët i ndjek si shembuj: Maldini, Barezi, Nesta, Kanavaro, Shirea.

Kisha shumë oferta dhe zgjidhja nuk ishte e lehtë, por zgjodha më të mirën. Për mua kishte rëndësi të madhe besimi i klubit dhe minutat që do të përfitoja në fushë. Juventusi e tregoi se më donte me çdo kusht.

Largimi nga Ajaksi më emocionon. Kam kaluar momente shumë të bukura dhe të këqija me atë klub. Ishte si të ngjiteshe në malet ruse. Në jetë ekziston gjithmonë një moment kur duhet të ndahesh me ndonjë. Do të më mungojnë të gjithë, por askush nuk e di se çfarë mund të na rezervojë e ardhmja”, përfundon Matijs De Ligt.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.