De Laurentis: Kavani i mirëpritur, lojtari perfekt për Ançelotin

Aurelio De Laurentis nuk i kursen deklaratat e mëdha. Presidenti i Napolit komentoi në “RMC Sport 1” situatën rreth Edinson Kavanit, me mundësinë e rikthimit të sulmuesit në “San Paolo” që vazhdon të diskutohet. Drejtuesi i klubit ka lëshuar deklarata të vërteta dashurie për lojtarin, edhe pse në të vazhdon të nënvijëzojë se operacioni mund të realizohet vetëm nëse lojtari pranon ulje të rrogës.

“Kavani ka qenë gjithmonë në zemrën time. E kam marrë te Napoli nga Palermo. Te ne mësoi si të ishte një sulmues i vërtetë, ka shënuar më tepër se 30 gola në sezon. E ka përfaqësuar shumë mirë këtë fanellë, edhe në Champions League. Është një yll i nivelit botëror dhe kemi qenë gjithmonë miq të mirë”, tha De Laurentis.

Përsa i takon çështjes së rikthimit, presidenti deklaroi: “I ka gjithmonë të hapura dyert në Napoli. Atë ditë, kur Kavani do të pranojë të ulë disi rrogën dhe kur të vendosë të vijë për të jetuar pranë dy fëmijëve të tij, do të jetë i mirëpritur. Do të ishte sulmuesi perfekt për Ançelotin. Problemi i futbollit të sotëm është se lojtarët kanë një skuadër në zemër, por mbajnë portofolin në dorë. Ndonjëherë nuk kemi qenë dakord për çështje të caktuara, por nuk jemi zemëruar kurrë me të”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *