De Bur: Interi rrëmujë totale, secili sipas qejfit

“Tek Interi janë 7-8 lojtarë që kanë tendencën të mënjanojnë të tjerët”. Deklaratë e fortë, e lëshuar nga Frank de Bur, i cili trondit edhe më keq ambientin zikaltër. Ish-trajneri i Interit dështoi totalisht në Milano, por kritikat dhe talljet ndaj tij tani duken te tepruara, duke parë që asnjë trajner nuk po i bën dot derman një skuadre që lufton për titull deri në nëntor dhe kthehet në qesharake më pas.

De Bur kujton eksperiencën e tij të hidhur, duke folur për rrjetin televiziv holandez Ziggo Sport: “Tek Interi formohet një bllok lojtarësh që bëjnë ligjin dhe përjashtojnë të tjerët. Nuk e prisja diçka të tillë. Në Itali kam pasur probleme, jo vetëm në aspektin e gjuhës, por edhe për mënyrën e transmetimit të mesazheve dhe ideve të mia. Mënyra ime e të menduarit është më e ngjashme me atë angleze”.

Cilat ishin problemet? “Ishte një rrëmujë totale, futbollistët bënin ç’të donin. Tek Interi provova të luaj një futboll apozicional. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Edhe djemtë te të rinjtë e Ajaksit e bënin më mirë. Lojtarët e Interin nuk e kuptonin dobinë e disa prej ushtrimeve të mia. U thosha që ishin koncepte esenciale për të filluar të kuptojnë si dëshironim të luanim. Ata hoqën dorë shumë shpejt”.

Rezultatet u panë qartë: me 14 pikë në 11 ndeshje, De Bur u largua në nëntor 2016, duke humbur edhe në Europa League, ndaj Hapoel Beer Shevës e Sparta Pragës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *