De Biazi para Luksemburgut: Kaçe u kthye se kërkoi falje, Xhaka asnjë reagim

Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka folur sot në lidhje me miqësoren e nesërme në Luksemburg, duke u ndalur gjatë edhe te kthimi i Kaçes në kombëtare: “Kaçe ka kuptuar se ka gabuar në sjelljen e tij, mendoj se ka bërë një rritje të madhe nga pikëpamja mendore. Ka kuptuar se duhet të tregohet inteligjent dhe unë mendoj se është, ka kuptuar se në jetë edhe mund të gabohet dhe mendoj se nga ky gabim mund të nxjerrë vetëm mësime të mëdha dhe mund të ketë një shans më shumë. Kaçe më ka dërguar mesazh, më tha që ka kuptuar se ka gabuar, se është gati të kthehet në grup e japë kontributin e tij.

Xhaka? Ai nuk ka bërë asnjë pranim, mendoj se është nga ana e fajit, se të largohesh nga grumbullimi dhe të lësh shokët është një nga gjërat që do të ishte më mirë të evitohen. Mbetet në pozicionin e tij, është shmangur vetë. U largua dhe do të mbetet jashtë derisa të mos bëjë hapa të ndryshëm.”

E ardhmja e De Biazit është gjithnjë burim spekulimesh, aq sa ka muaj që flitet për largim, por italiani shmang temën: “Nuk e di, të flasim për ndeshjen me Luksemburgun dhe për Izraelin. Nuk jam penduar asnjëherë që rinovova. Janë gjëra që i bëra se isha i bindur se skuadra kishte hapësira përmirësimi. Kur arrin në fund të jetës, thua sa gjëra ndryshe mund të bëja në jetë, por ndërkohë e ke jetuar jetën, i ke bërë gjërat. Bëre gjërat e duhura, gabime, ece përpara. Të thuash që tani gjërat janë keq, janë të aftë të gjithë. Por duhet t’i bësh pyetjen vetes nëse kishe alternativat, nëse kampionatet e forta të ofrojnë lojtarë të rëndësishëm që luajnë vazhdimisht si Hysaj te Napoli. Atëherë bën eksperiencën që duhet. Por nëse ke lojtarët që luajnë me vështirësi, nuk gjejnë hapësira, sigurisht që nuk rritesh. Jemi vend i vogël por njerëzit flasin…”

Rezultatet në rënie të kombëtares: “Mendoj se është problem mungesa e eksperiencës që të qëndrosh në këto nivele, duke mbajtur tensionin lart. Nuk kënaqemi me lojën e mirë pa rezultate, nuk kënaqem vetëm me të. Unë jetoj me rezultatet dhe jam i lumtur nëse i arrij. Ajo që mungon është sjellja dhe dëshira për të qenë protagonistë. Duhet të përqendrohesh gjithmonë mbi një objektiv të ri me të njëjtën uri dhe vendosmëri. Njeriu, kur arrin në maksimum, vështirë se qëndron për shumë kohë aty.”

Miqësorja me Luksemburgun: “Kjo ndeshje për ne është një test i rëndësishëm, luajmë ndaj një skuadre që nuk duhet ta nënvlerësojmë sepse do të ishte një gabim. Ata që do të zbresin në fushë do të kenë një mundësi të mirë të tregojnë se mund të luajnë edhe në ndeshjen me Izraelin. Për mua do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, por është test dhe nuk do të thotë që është formacioni i njëjtë si ndaj Izraelit. Kemi 8 ditë për atë sfidë. Na ka lënë një shijë të keqe ajo e nëntorit të kaluar kur humbëm në shtëpinë tonë. Ka kaluar kohë dhe sigurisht që ka ndryshime. Ndaj Izraelit ndikoi gjyqtari dhe pak ne që nuk ishim me mendjen te një objektiv i rëndësishëm duke ia lehtësuar punën kundërshtarit. Izraeli është ekip i fortë dhe në futboll në këto nivele nuk mund të përballosh askënd duke luajtur me më pak impenjim. Duhet të jesh gjithashtu në maksimum fizikisht. Më vjen keq që mungon një lojtar për dëmtim si Balaj, tek i cili kisha shpresa të mëdha. Por të tjerët janë në dispozicion dhe janë në gjendje të mirë.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *