De Biazi, një hap larg Vitorio Emanueles

0

Opinion nga Saimir Demi

Xhani de Biazi u vu në krye të ekipit tonë Kombëtar, si një zgjedhje e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, brenda mundësive të tyre modeste financiare, ndërsa tani është kthyer në një dashuri kolektive. Por edhe në vendin e tij të origjinës, duhet të jenë penduar që po e vlerësojnë me kaq vonesë. Sa herë që mbërrin në Tiranë, moderatorët e të gjitha kanaleve televizive vihen në radhë për ta ftuar në studiot e tyre dhe nuk janë vetëm ata të specializuarit për sport, të cilët e shfaqin hapur këtë interes të jashtëzakonshëm. Mahnitemi nga fjalët e tij, shpesh herë të zgjedhura, madje tekniku gjen përkrahje edhe kur e mposht nervozizmi dhe bëhet ekstremisht arrogant. Entuziazmohemi aq shumë kur belbëzon fjalët e himnit tonë kombëtar, me dorë në zemër, ashtu siç mërzitemi kur e shohim duke lotuar në atë reklamën e shoqërisë së sigurimeve. Në profesionin e tij, nuk arriti të shkëlqente në vendin e tij, megjithëse e provoi për 20 vjet. Kulmet e karrierës janë stoli i Breshias, ardhja me Torinon në Serinë A dhe dy muaj në drejtimin e Udinezes. Ndërsa në Shqipëri i ndodhi e kundërta. Misteri arriti majat dhe filloi të besonte se në Itali mund të kthehej vetëm për të zëvendësuar Antonio Konten në pankinën axurre, pavarësisht se bëhet fjalë për një pozicion kampionësh. Pra përfundimisht është një “Yll”, ose ekzaktësisht “Ordine Della Stella D’Italia”, me motivacionin se çoi Shqipërinë në finalet e Europianit të Francës. Në të vërtetë, me mbërritjen e tij në vitin 2011, trajneri De Biazi gjeti një skuadër në dekadencë dhe ka një kontribut të madh në rindërtimin e saj. Pikërisht kjo është merita e tij reale. Ndërsa për kualifikimin në Europian, kombëtarja jonë pati më shumë nevojë për një mbështetje të jashtme mjaft të kushtueshme, se sa për magjinë e De Biazit. Një gjë e tillë na u tha aq hapur pas kthimit të tanëve nga aventura e mrekullueshme franceze, saqë edhe më naivët e pranuan si të mirëqenë. Por nëse kishte më shumë kontribut Armenia se sa vetë ne, në pjesëmarrjen tonë në evenimentin më të madh futbollistik të kontinentit, nuk na interesoi shumë. Në këtë vend ku korrupsioni është institucion, këtë lloj e pranuam me konsensus për hir të kombit, pasi në ditët franceze ishim edhe ne pjesë e vëmendjes së botës, si dhe institucioni që drejton futbollin përfitoi shifra që nuk i kishte llogaritur. Por vetëm kaq, pasi në raste të tilla nuk mund të evidentohen edhe aftësi profesionale individuale. Çfarë bënë ndryshe drejtuesit e Skënderbeut? Dyshohet se nëpërmjet allishverisheve të ngjashme kanë fituar ca para, pjesën më të madhe të të cilave do ta vënë sërish në shërbim të futbollit, por kombit ama i bën po një nder të jashtëzakonshëm, pasi e çuan skuadrën e tyre në fazën e grupeve të Europa League dhe për herë të parë në histori Shqipëria u përfaqësua në këtë eveniment me kampionët e tyre. Kështu, meqenëse jemi të aftë të bëjmë bujë vetëm në këtë mënyrë edhe drejtuesit e Skënderbeut duhet të jenë “Doctor Honoris Causa”.

Eshtë e vështirë të gjesh një tjetër vend, në Europë padyshim jo, që për një punë të bërë pjesërisht dhe të paguar jashtë realitetit të ambientit që të ka punësuar, të shihesh si i dërguari i vetë Perëndisë. Edhe sikur të ishte meritë individuale, në atë Europian kishte edhe të tjerë debutues, që bënë më shumë se ne, por trajneri i Islandës sigurisht që nuk e pati fatin e De Biazit. Tekniku ynë ka marrë 10 tituj e nderime, që nga mosha 59 deri në 60 vjeç, pikërisht kur ka jetuar “part-time” në Tiranë. Është dekoruar me “Nderi i Kombit Shqiptar”, kur kështu nuk konsiderohen pjesa më e madhe e atyre që kanë kontribuar direkt në shpalljen e pavarësisë. Apo ka marrë “Çelësin e Tiranës”, që prej vitesh në fakt është kthyer në një çelës kopil, të cilin ja kanë varur në qafë kujtdo që ka shkelur në Tiranë, siç na nderonin vite më parë prindërit tanë, sa herë që u vinte radha të punonin turni i dytë. Së fundmi, në Itali ka marrë edhe vlerësime teknike, si “Pankina e Artë e Veçantë”, por asnjëherë nuk ka mundur të gjejë një pankinë më për të qenë se kjo e jona. Është vërtetë fatkeqësi e madhe, që të huajt vazhdojnë të na trajtojnë si inferiorë, ndërsa ne nderojmë pa kursim çdo të huaj. Dhe kështu, vetë De Biazi, natyrshëm i ka dhënë të drejtë vetes të delirojë. Dikur tha se nëse do të kandidonte në Shqipëri, sigurisht që do të merrte më shumë vota se kryeministri, kjo për hir të popullaritetit të ekzagjeruar. Por, falë Zotit, ishte e pamundur të bëheshin shpenzime ekstra për të shkuar në finalet e Rusisë, pasi tani fatin tonë nuk e kanë më në dorë armenët, apo të tjerë si ata, se “il cavaliere” De Biazin, italianët mund të na e gradonin “L’imperatore”, ashtu si dikur Vitorio Emanuelen.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image