De Biazi: Kampionati shqiptar duhet të prodhojë diçka më shumë!

0

 

Ish-trajneri i Shqipërisë: “Titulli i hequr Skënderbeut? Klub serioz, por fajësimi nga UEFA hap rrugën për aludime të tjera. Ky aspekt është thelbësor për sa i përket të ardhmes së futbollit shqiptar”

Në një intervistë të dhënë për “Top Story”, Xhani de Biazi ka rrëfyer disa pika të karrierës së tij në stolin e Shqipërisë, duke ripërsëritur konceptet e shprehura më parë, ndërsa sigurisht që rrëfyer edhe gjëra që nuk diheshin, si për shembull takimi i parë me Dukën në Milano, apo raportet me presidentin, produkti vendas në kampionatin shqiptar.

Kosova dhe talentet – “Mendoj që lojtarët që bëjnë pjesë në kombëtare pas Europianit s’kanë probleme për të ndërruar fanellën. Do të ketë në të ardhmen, pasi më parë ishte më e lehtë për ne që t’i merrnim. Tani bëhet më e vështirë. Po punohet edhe brenda Shqipërisë, duke u përmirësuar Akademitë dhe provincat e ndryshme, që t’i mbajmë nën kontroll”.

Produkti vendas – Por, sa mund të ecë përpara futbolli kombëtar shqiptar nëse nuk bazohet në kampionatin vendas? “Besoj që, që nga koha kur kam ardhur në Shqipëri, kampionati është rritur. Jo vetëm Skënderbeu, që shkoi deri në grupet e Europa League. Shembull i mirë. Edhe kampionati duhet të prodhojë diçka më shumë. Eshtë proces që kërkon kohën e tij. Nëse punohet me seriozitet dhe ka afrime cilësore, përveç se talente të reja, do të gjejmë rrugën drejt rritjes së kombëtares”.

Skënderbeu – Sa i përket heqjes së titullit kampion të Skënderbeut, ja komenti i De Biazit, në lidhje me kërcënimin e futbollit nga bastet: “Për fatin e keq mendoj që për sa kohë legalizohen bastet dhe bëjnë pjesë e shumë sponsorëve, ka tendencë rrezikshmërie, kufi të ngushtë mes të bërit gjërave mirë dhe jo shumë të qarta. Skënderbeu është klub serioz, që ka bërë gjëra të mëdha në kampionatin shqiptar dhe jashtë, por që më pas u shpall i fajshëm për situata aspak të pëlqyeshme dhe që hapën rrugën për aludime të tjera. Për mua, aspekte të tilla janë thelbësore për sa i përket të ardhmes së futbollit”.

Asnjë presion – Por, në të shkuarën edhe kombëtarja nuk i ka shpëtuar këtyre aludimeve, teksa gjatë kohës që ju keni drejtuar, kurrë s’u dëgjua një shqetësim i tillë. A keni pasur presione dhe oferta për të rekrutuar lojtarë që nuk vlenin? “Asbolutisht, jo! Kurrë s’ka ndodhur. Kam bërë punën time me qetësi pa presione dhe kushtëzime. Skuadra jonë s’është deklaruar asnjëherë dhe s’është përmendur për debate të tilla, për çështjen e njollosjes. Ka rëndësi për moralin dhe ndershmërinë e kombit. Kur shkon dhe luan me flamurin në gjoks, duhet të kesh pak respekt”.

Sindroma “Euro” – “Besoj që Europiani për ne ishte maksimalja dhe askush s’e mendonte. Në fund të Europianit isha në dilemë nëse do të vazhdoja ose jo. Megjithatë mendova që kjo skuadër që kishte pritshmërinë e madhe, pavarësisht vështirësive edhe në sajë të shortit me Italinë dhe Spanjën, mund të jepte ende”.

Dorëheqja – Në lidhje me dorëheqjen, pas ndeshjes me Izraelin, ja argumentimi i De Biazit: “Nuk kisha biseduar ende me presidentin, që ndodhej në Izrael. Në konferencën përpara se të takoja presidentin, pyetjes që m’u bë pra nëse do të rinovoja në fund të eliminatoreve të Botërorit 2018, iu përgjigja me një “jo”, ashtu sikurse bëra edhe përpara ndeshjes me Izraelin. S’mund të jepja dorëheqjen pa biseduar me Dukën. Edhe pse ai ishte në dijeni të këtij mendimi.

Raporti – Në lidhje me raportet me Dukën, italiani ka mohuar çdo fërkim gjatë këtyre viteve: “Kurrë asnjë kontradiktë. Më ka dhënë gjithmonë besimin dhe mbështetjen e tij. Raport i shkëlqyer. Natyrisht, kur humbasim ndeshjen është i acaruar edhe me mua, si me të gjithë, ndaj më mirë të mos e ngacmosh. Por, ajo që më ka pëlqyer gjithmonë është fakti që presidenti Duka s’më ka kërkuar kurrë dhe s’më ka pyetur kurrë për askënd. Natyrisht, listën ia çoja federatës dhe pastaj e shihte ai, pasi e kisha publikuar. Kam qenë komod me të. Mungesë besimi nga federata? Thashë që nuk besoj se kishte lënë gjihçka për katër ndeshjet e fundit. Diskutimin e bëra për të përgatitur terrenin e largimit.

Post De Biazi – Cilin do të zgjidhte De Biazi, nëse do t’i kërkohej këshillë. Shumë emra… “Besoj se presidenti Duka, në gjithë këto vite, ka gjetur mënyrën për të gjetur trajnerët. Në fund, gjeti njërin që arriti të bënte diçka. Ai ka aftësinë për të njohur njerëzit. Më kujtohet takimi ynë i parë në Milano, në tetorin e largët 2011. Më kujtohet edhe mënyra se si e shtruam bisedën. Ai është një lojtar dhe biznesmen i jashtëzakonshëm. S’e hedh kurrë hapin e parë pa e hedhur ti. Ka përvojën dhe personalitetin për të sjellë trajner të ri”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here