De Biazi “fshiu” kujtimin e hidhur të Dosenës!

Italiani i dytë që morëm na dhuroi gjithçka dhe i dhuruam gjithçka, teksa përpara tij, një ish-kampion bote na braktisi pas mesnate në grumbullimin kuqezi

Xhani de Biazi ishte trajneri i dytë italian në stolin e Shqipërisë, teksa ai shuajti si me gomë hidhërimin për aventurën shumë të shkurtër të Bepe Dosenës, i cili braktisi kombëtaren kuqezi në grumbullim, duke lënë hotelin në orët e para të mëngjesit…

Xhuzepe Dosena do të firmoste përpara shumë gazetarëve kontratën me Shqipërinë, më 27 qershor 2002. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, megjithatë, do të bënte gabimin më të madh, siç do ta pranojë edhe më vonë. Sepse mes Hans Peter Brigelit dhe italianit, në fund zgjodhi të dytin. Ish-torinezi do të vendoste menjëherë si objektiv kualifikimin në Europianin 2004, duke marrë vendin e Sulejman Demollarit, që u shkarkua pas humbjes 2-0 ndaj Andorrës. Plot 200 mijë euro për 16 muaj, pra faza kualifikuese për në Portugali.

Dosena vinte pas eksperiencës si ndihmës trajner i Paraguait, ku pranë të madhit Çezare Maldini, gjatë Botërorit 2002 kishte mësuar shumë. Por, dashuria me kuqezinjtë zgjat vetëm katër muaj, pasi në nëntor të po atij viti, italiani zhduket në grumbullim, për të mos u kthyer më… Avion privat dhe fluturim për në Libi, aty ku thirrja e familjes Gedafi për të drejtuar Al-Itihad ishte e parefuzueshme.

Pikërisht atë sezon fiton kampionat dhe Superkupë Libie me Al-Itihadin, por pas një sezoni dhe pasi regjimi Gedafi nis të lëkundet, merr valixhet dhe kthehet në Itali, duke e nisur nga kategoritë e ulëta, te Lodixhiani, në Serinë C. Koleksionon vetëm dështime të vazhdueshme deri sa niset për në Etiopi, por jo për ndonjë program mbi luftë ndaj urisë dhe nismat humanitare, por për të drejtuar St Xhorxh, skuadrën më me emër.

Humbet kampionatin për vetëm 1 pikë. Kthehet në Itali dhe pasi tenton të fitojë këtu dhe aty, si drejtues apo “scout”, në vitin 2004 merr rolin si opinionist te RAI, që mbulon edhe në ditët e sotme, edhe pse kritikat për të nuk ndalen, si mungesë totale profesionalizmi dhe emra që shpeshherë ngatërron në koment.

Do të jetë protagonist në një program pas finales së Euro 2016.  Gjatë verës 2016, ndërkaq, bën gjënë e vetme me vlerë: bëhet nismëtar i “Cerchio Azzurro”, në ndihmë të ish-atletëve në nevojë dhe që vuajnë varfërinë pasi nuk kanë mbështetje. Qeveria italiane i caktoi 5 mln euro buxhet, por të shpresojmë që edhe ato mos shkojnë në xhepin e tij… ashtu si një pjesë e rrogës te Shqipëria. Nga Dosena te De Biazi, diferenca është 340 km, sipas qytetit të lindjes (Sermede-Milano), por distanca mes të dyve është edhe më e madhe. Nga sjellja, nga kërkesat ekonomike dhe nga personaliteti e burrëria. Xhani fshiu Dosenën dhe na tregoi se edhe italianët janë të dashur dhe tepër të përkushtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *