De Biazi: Do të hutohem në tribunë, ata janë ende djemtë e mi!

Xhani de Biazi mbërrin sot në Tiranë, teksa të shtunën do të jetë në “Elbasan Arena”: Nuk mund të mungoj në atdheun tim të dytë. I uroj shumë shumë fat Kristianit. Cikalleshi? Nuk komentoj

Anton Cicani

Si tifoz, jo më në stol… Për pesë vjet e ka ngrohur atë bankinë, ndërsa tani radhën e ka një tjetër bashkëkombës i tij, Kristian Panuçi, me shpresën që të paktën të arrijë sa gjysma e Xhani de Biazit, edhe pse s’do të jetë e lehtë. Pikërisht “Ganiu” do të mbërrijë sot në Rinas, ku edhe do të dorëzojë pasaportën shqiptare. Një tifoz më shumë në “Elbasan Arena”, një stadium i cili i ka dhënë shumë kënaqësi, por shpesh edhe e ka hidhëruar. Megjithatë, mes tifozëve kuqezi, do të ndihet mjaft mirë, edhe pse ndoshta do ta ketë të vështirë që të ruajë emocionet dhe sidomos të kujtohet shpesh se tashmë s’mund të japë udhëzime dhe të bërtasë…

Si jeni, mister?

Jam shumë mirë. Sapo jam kthyer nga Sardenja.

Gjatë kësaj periudhe keni pasur kontakte me skuadra? Pra, ka zhvillime sa i përket të ardhmes?

Kam pasur disa kontakte, si në qershor, ashtu edhe kohët e fundit, po për momentin po pres, pasi asgjë nuk është konkretizuar për momentin, pra s’ka pasur oferta zyrtare dhe që më kanë bindur. Deri tani kanë qenë gjëra jashtë Italisë, shumë larg madje.

Mund të na thoni vendet nga të cilat kanë ardhur këto oferta?

Nga Japonia dhe Kina, pra le të themi Azia e largët.

Çfarë do të bëni?

Do të pres. Fundja, nuk kam pse të nxitohem.

Do të vini të ndiqni debutimin e Panuçit në stolin e Shqipërisë, pra kundër Lihtenshtejnit në “Elbasan Arena”?

Sigurisht që po. E kam detyrim. Do të shoqëroj kështu daljen e parë të Kristianit (Panuçi), të cilit i uroj shumë shumë fat. Dhe, sidomos sepse Shqipëria është atdheu im i dytë. Për mua është bukur të kthehem në një vend ku kam qenë mirë. Madje, dje (pardje) isha në Modena, ku u ftova nga presidenti i rajonit Emilia Romanja. Aty ku kam arritur të bëj për vete tifozët dhe ambientin, që më priti ngrohtë. Ishte një festë dhe është bukur të kthehesh aty ku ke qenë mirë dhe ku ke bërë gjëra të mëdha sa i përket punës.

Sa e veçantë dhe emocionuese do të jetë për Xhani de Biazin që ta ndjekë sfidën nga tribuna dhe jo më në stol, duke qenë se në atë stol ka drejtuar për 5 vjet?

Sigurisht, shumë emocione do të përshkojnë trupin tim, ndoshta edhe ndonjë hutim. Pasi, të ndjek ndeshjen e djemve të mi, sepse janë djemtë e mi, përjashto një apo dy që janë thërritur tani së shpejti, por që ishin vizionuar edhe nga unë. Pra, do të jetë emocion i veçantë, por unë jam tifoz i kombëtares së Shqipërisë, ndaj asgjë më shumë.

Le të ndalemi te një çështje që ka ndezur jo pak polemika. Sokol Cikalleshi, që për ju, në aspektin tekniko-taktik, ka qenë tepër i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në disa raste, është lënë jashtë nga Panuçi pasi shkeli rregulloren?

Mund të më thoni faktet reale, pasi nuk i di me hollësi…

Praktikisht, kërkoi leje për të shtyrë ardhjen në grumbullim, sepse do të firmoste me një ekip, ndaj Panuçi nuk e pranoi këtë dhe vendosi që nëse lojtari s’do të paraqitej në orar në grumbullim, atëherë mund edhe të mos vinte, ashtu sikurse edhe ngjau. Si mendoni?

Nuk dua të komentoj, pikë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *