De Biazi: Ajo që bëri Shqipëria për Italinë duhet të jetë lajmi i parë në të gjithë botën

Ashtu siç edhe pritej në fakt, Gianni De Biazi e ka përjetuar edhe më tepër emocionalisht ndihmën që Shqipëria dha për Italinë me 30 mjekët e dërguar. Me kuqezinjtë dhe vendin tonë do të bënte historinë, ndërsa tashmë sheh sesi kombi ynë jep sadopak kontribut dhe me vlerë të madhe shpirtërore, për vendlindjen e tij.

Në një intervistë për “A2 Cnn”, De Biazi ka treguar se kjo ndihmë e Shqipërisë sipas tij duhet të jetë kryelajmi dhe në plan të parë në të gjithë mediat e njohura botërore.

“Ndodhem në shtëpi dhe këtu daljet bëhen nga vetëm një pjesëtar i familjes. Kemi avantazhin që kemi një shtëpi të madhe dhe në oborr, duke mos qendruar vetëm brenda katër mureve. Shqetësimi më i madh është ai i vajzës që punon në shëndetsi dhe duhet t’i bëj ballë kësaj situate. Ajo është e angazhuar në Padova.

Jam i përditësuar me lajmet, por kam ndjekur edhe një strategji për të mos ndjekur shumë televizorin dhe lajmet në këto kohë, por vetëm duke pyetur miqtë e mi. Ajo që bëri Shqipëria duke dërguar mjekë në Itali ishte një gjë e madhe. Vërtet një gjë i bërë nga shtet i vogël, por nga një popull me zemër të madhe. Shqipëria e vogël, por e madhe, i dha një ndihmë të vyer Italisë, që nuk po i vinte nga shtete të tjera të fuqishme. Ky gjest i bërë nga shqiptarët duhet të vendoset në vëmendje të parë nga të gjitha mediat botërore”, tha De Biazi. /Sport Ekspres/