David Nikolli: Unë e dua Shqipërinë, po ajo i do sportistët e saj?!

0

Apeli i Kampionit të Ballkanit: “Nëse Shqipëria nuk ka mundësi të më mbajë, atëherë jam i detyruar që të zgjedh Italinë. Më ofrojnë ndihmën. Jam vetëm dhe nuk më mbajnë prindërit, por i mbaj unë ata”

Kampioni i Ballkanit për të rritur në Novi Pazar më 16 korrik, David Nikolli, duket se nuk e ka ndier trajtimin e premtuar nga shteti shqiptar. Parë si atlet i së ardhmes, pse jo njeriu që do të mund të sjellë medalje ndërkombëtare, sepse stërvitet në Itali, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, pat propozuar që Nikolli të lërë gjithçka dhe të financohet për të bërë sport. E që nga momenti që është kthyer në Milano ku dhe jeton Nikolli ka bërë dhe gara të tjera.

Në rrëfimin e tij për “Sport Ekspres”, ai shpjegon se tre ditë pas kthimit nga Tirana në 3000 metra jo vetëm që ka dalë i pari, por dhe ka thyer rekordin kombëtar.

Koha ime – rrëfen Nikolli – është 8’11” dhe nuk e di pse nuk është reklamuar si rekord kombëtar. Jo vetëm kaq, por në kampionatin italian në 10 kilometra të para një jave kam bërë kohën 30’28”. Kuptohet pa e përgatitur, ndërsa jam duke u bërë gati për gjysmëmaratonën e Tiranë, atë 21 kilometra, ku dhe pretendoj të jap tjetër rekord të ri për këtë disiplinë. Mirëpo jam duke pritur që Ministria e Arsimit dhe Sportit të më japin mbështetjen e duhur financiare, ose së paku atë që premtuan. Sepse kam lënë punën dhe kam prishur kontratat e përhershme, ndërsa më patën thënë që lërë punën sepse nuk ke nevojë më të pushosh.

Më besoni kam shumë dëshirë të konkurroj për Shqipërinë, ndërsa me rezultatet që jam duke bërë më krijohet mundësia edhe në Itali. E nëse Shqipëria nuk ka mundësi të më mbajë, atëherë jam i detyruar që të zgjedh Italinë. Nuk kam rrugë tjetër, sepse më ofrojnë ndihmën. Jam vetëm dhe nuk është se më mbajnë prindërit që jetojnë në Shqipëri. Më kuptoni duhet t’i mbaj unë ata. Dëshira ime më e madhe është që të garoj për Shqipërinë dhe nuk do ta ndërroja kurrë. Por nuk kam ndihmë tjetër dhe nuk kam zgjidhje tjetër përveç Italisë. Ndaj bëj apel: Unë e dua Shqipërinë, por Shqipëria i do sportistët e saj?!”.

Apel më të fortë se kaq për një shtet nuk ka. Dhe David Nikolli nuk është nga ata që duhet humbur. Kemi humbur shumë sportistë për mbështetje financiare të tillë Pirro Dhima, Luan Shabani, Viktor Mitro, Mirela Manjani, Elis Guri, Sahit Prizreni etj. Nuk kemi kohë më të humbasim sportistë të talentuar që janë përgatitur gjetkë e që mund të na japin shumë. Ndaj apeli i David Nikollit duhet të shkundë shtetin e pse jo dhe Federatës Shqiptare të Atletikës për të shkuar premtimet në ajër. Nesër do të jetë shumë vonë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image