Dashuria për Napolin, De Laurentis dhe pasionet: Të fshehtat e Ançelotit

Karlo Ançeloti zgjodhi Napolin verën e kaluar për të vijuar karrierën e tij, zgjedhje që habiti jo pak. Sezoni i parë i italianit nuk ka shkuar edhe aq keq, pasi nuk është fort e lehtë të rivalizosh një ekip si Juventusi në Itali.

Lidhur me aventurën e “Karletos” në Napoli, ka folur së fundmi e bija e tij, Katia. Kjo e fundit në një intervistë të dhënë për “Radio Kiss Kiss”, ka rrëfyer shumë gjëra në lidhje me babain e saj. Në fund, Katia ka zbuluar edhe diçka mbi të ardhmen, ku deklaroi se “dashuria” mes Ançelotit dhe Napolit mund të zgjasë përgjithmonë.

NAPOLI – “Babai im zgjodhi Napolin pasi ishte një sfidë e re. Napoli është një vend i bukur, me një entuziazëm unik, që mund të krahasohet vetëm me disa vende në Botë. Ekipi ka disa vite që nuk ka fituar, por kanë qenë pranë. Të fitosh nuk është e lehtë.”
PASIONI I ANÇELOTIT – “Babai më thotë shpesh se ka qenë me fat dhe mendoj se tani ka nevojë për diçka të tillë. Është një njeri që jeton me futbollin, që është edhe pasioni i tij më i madh. E mbaj mend që në ndeshjen e parë kundër Milanit, ishte shumë në ankth dhe e pash me lot në sy. Ishte i impresionuar nga ekipi i tij dhe atmosfera në ‘San Paolo’. Një stadium i tillë na kishte munguar.”
“DASHURIA” ANÇELOTI-NAPOLI – “Mendoj se ishte dashuri me shikim të parë, sikur të biesh në dashuri me një person. Në atë moment shpreson që të zgjasë gjithmonë. Gjithsesi, ndonjëherë, dashuria nuk mjafton. Duhen shumë gjëra, por në rast se ka respekt nga të dyja palët, besoj se do të jetë një marrëdhënie që do të zgjasë jashtëzakonisht shumë, ajo mes babait tim edhe Napolit.”
E ARDHMJA – “Mund të qëndrojë gjithmonë këtu? Për mendimin tim, them se po. Kushtet janë të tilla. Ançeloti dhe De Lauentis e dashurojnë jetën dhe fitoren.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *