“Dardania Arena”, Haradinaj zbulon emrin e stadiumit që do ndërtohet në Kosovë

Ramush Haradinaj, Kryeministri që është në largim te Qeveria e Kosovës, ka zbuluar edhe një detaj të veçantë për stadiumin që do të ndërohet. Bëhet fjalë pikërisht për impiantin e ri në afërsi të Drenasit, që është njëkohësisht edhe stadium Nacional i Kosovës.

Pasi ka marrë pjesë në punimet e kompleksit sportiv të Prishtinës, del edhe detaji i emrit. Kështu ky stadium do të quhet “Dardania Arena”, të paktën sipas asaj që shkruan Ramush Haradinaj. Deri tani kishte shumë hipoteza rreth emërtimit, por ende nuk është vendosur në mënyrë të saktë.

Kryeministri në largim i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka “zbuluar” emrin e Stadiumit Nacional të Kosovës që do të ndërtohet në afërsi të Drenasit.

“Prishtinës dhe Kosovës i ka munguar një infrastrukturë moderne sportive, nisja e jetësimit të të cilës është lajm i mirë për futbolldashësit e kryeqytetit. Në përurim të fillimit të punimeve në qendrën sportive të klubit FC Prishtina në Bërnicë, theksova se gjatë qeverisjës, kemi treguar kujdes të veçantë ne mbështetje të sportit dhe talentëve tanë. Renovimi i stadiumit “Fadil Vokrri” dhe vendimi për fillimin e ndërtimit të stadiumit kombëtar “Dardania Arena”, si dhe ligji për sponsorizim të sportit dhe kulturës dëshmojnë përkushtimin tonë që sportistët e rinj të zhvillojnë talentin e tyre në kushte solide”, ka shkruar Ramush Haradinaj. /Sport Ekspres/