Danimarka në kaos: Pezullohet trajneri, lojtarë në konflikt me Federatën

0

Kombëtarja e Danimarkës zbret të mërkurën në fushë për të zhvilluar miqësoren me Sllovakinë, që zhvillohet në Tërnava, ndërsa të dielën nisin ndeshjet e “National League” me ekipin skandinav që do të përballet me Uellsin. Megjithatë, situata në kampin danez është problematike dhe kaosi e ka përfshirë atë.

Lojtarët janë në konflikt me Federatën Daneze në lidhje me shpërblimet dhe të drejtat e imazhit, ndërsa trajnerit, Age Hareide, i është komunikuar që nuk do të jetë në drejtim për dy ndeshjet e radhës. Drejtuesit e Federatës do të mblidhen për të zgjedhur trajnerin e ri dhe koha nuk premton, sepse ndeshjet janë në prag.

Por, trajneri nuk është problemi i vetëm, sepse lojtarët, më në krye Eriksenin e Totenhemit, janë rebeluar kundër Federatës së Futbollit dhe nuk dihet akoma se me çfarë ekipi do të zbresë në fushë Danimarka. Ata vendosën ditën e shtunë të presin dhe një muaj për të marrë shpërblimet e parashikuara, por Federata refuzoi.

Kristian Eriksen foli për “EkstraBladet” ku theksoi: “Kemi marrë vesh që DBU po përpiqet të na nxjerrë ne lojtarëve si të pangopur dhe që nuk mendojmë për asgjë tjetër, përveçse xhepit tonë, por jemi ne që çdo vit e nxjerrim me suficit DBU. Është diçka e pakëndshme të dëgjojmë këto akuza kundrejt nesh.”

Mesfushori i Totenhemit beson se futbollistët duhet të kenë lirinë të arrijnë marrëveshje personale sa i përket të drejtave të imazhit gjatë periudhës kur nuk janë me ekipin kombëtar si dhe duhen krijuar marrëveshje të organizuara për atë që bëjnë kur janë nën kujdesin e kombëtares.

Presidenti i Federatës Daneze, Jepser Mëler, e cilësoi gjendjen e krijuar si kritike dhe shumë serioze, ndërsa theksoi se është kërcënuar modeli ekzistues i kombëtares daneze.

Probleme kishte dhe me kombëtaren e femrave, të cilat ishin në konflikt të hapur me Federatën përpara pak kohësh. Ekipi i vajzave kërcënoi me bojkot përpara ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës dhe problemi mes palëve ishte i njëjtë: shpërblimet e parashikuara për futbollistet femra.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.