Kriza daneze, me ekipin e futsallës në Nations League!

Situata te kombëtarja e Danimarkës është delikate dhe shumë serioze. Lojtarët janë në konflikt të hapur me Federatën Daneze të Futbollit (DBU) për shpërblimet e parashikuara dhe të drejtat e imazhit. Danimarka zhvillon nesër ndeshjen miqësore me Sllovakinë në transfertë, ndërsa të dielën përballet me Uellsin për “National League”.

Siç citon “Ekstrabladet”, drejtuesit e Federatës kanë vendosur të zbresin në fushë lojtarët e kombëtares së futsallës (futbollit të salave) në dy ndeshjet e ardhshme.

Federata i ka kërkuar futbollistëve të futsallës të përgatiten për të mbrojtur ngjyrat e kombëtares në këtë periudhë të vështirë dhe në të ardhmen do të rrisë investimet për këtë kategori futbolli. Trajneri i ekipit të futsallës, Nikolas Klein, nuk ka pranuar të prononcohet për situatën në fjalë. Ai tregon se Federata ka kontaktuar me lojtarët dhe janë ata, të cilët do të marrin vendimin final.

Kim Halberg, shefi ekzekutiv i DBU, iu dërgoi një letër ditën e diel të gjithë lojtarëve të ekipit të futbollit të sallës, duke iu kërkuar të nënshkruajnë për të marrë pjesë në ndeshjet kundër Sllovakisë dhe Uellsit, por diçka e tillë nuk do të jetë aq e thjeshtë.

Klube të Superligës dhe kategorisë së parë nuk janë vënë në dispozicion të Federatës për këto dy ndeshje, ndërsa disa klube të kategorisë së dytë kanë deklaruar se solidariteti është më i rëndësishëm se shansi i marrjes së famës nëpërmjet një, ose dy ndeshjeve ndërkombëtare. Kështu që ka patur ndershmëri dhe harmoni midis lojtarëve më të mirë në Danimarkë në mbështetje të lojtarëve të kombëtares.

Nga ana tjetër, Eriksen dhe lojtarët e kombëtares së madhe kanë bërë një tjetër apel në drejtim të DBU gjatë ditës së martë, por oferta e tyre ka rënë në vesh të shurdhët, sepse DBU nuk ka ndërmend të ulet në tryezën e negociatave, ose të pranojë shtyrjen me një muaj të marrëveshjes ekzistuese.

“Të vazhdojmë përpara, të gjithë bashkë për ekipin kombëtar. Ofrojmë dhe njëherë mundësinë e zgjatjes së përkohshme të marrëveshjes së vjetër dhe jemi gati për t’u nisur për Sllovaki. Jemi të gjithë dakord me këtë propozim për të ruajtur fytyrën e futbollit danez. Ne jemi këtu dhe duam të luajmë për Danimarkën. Ne duhet ta zgjidhim këtë konflikt tani. Jemi të lumtur të shtrijmë dorën e pajtimit duke i kërkuar DBU të rinovojmë marrëveshjen ekzistues dhe për një muaj. T’i kalojmë këto dy ndeshje dhe pastaj të ulemi përsëri për të gjetur marrëveshjen e re. Nuk ka kuptim që DBU të mos pranojë, sepse kjo marrëveshje ka qenë për shumë vite dhe nuk ndodh asgjë nëse e shtyjmë dhe një muaj”, deklaroi mesfushori i Totenhemit në një njoftim për shtyp nga shoqata e futbollistëve.

Për situatën në fjalë ka reaguar dhe Tomas Dilenji, i cili u transferua nga Verder Bremen te Borusia e Dortmundit.

“Ftoj DBU të takohemi. Ne duam të luajmë për Danimarkën, por nuk e kuptojmë se pse DBU nuk kërkon të negociojë dhe harxhon kohën e vet duke kërkuar për lojtarë alternativë. Nuk kemi kohë për të humbur, por DBU po na poshtëron duke kërkuar lojtarë alternativë për të luajtur me kombëtaren”, përfundon mesfushori 26-vjeçar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *