Danilo Alvesh nuk ia del, Behari ribën sulmin

Sulmuesi brazilian zhvendoset në “bokse” bashkë me futbollistët e tjerë, Seku Kamara dhe Ardit Hoxhaj. Lajm i mirë, gatishmëria e kapitenit Bushiç

Elton Nika

Danilo Alvesh shqetëson Flamurtarin. Sulmuesi brazilian zor se do të mund të rikuperohet deri të shtunën, kur edhe do të luhet ndeshja e radhës kundër Luftëtarit në Gjirokastër. Alvesh doli i dëmtuar pas pjesës së parë të takimit në fitoren 3-1 ndaj Teutës në Vlorë dhe në fakt ndërrimi u bë për ta ruajtur lojtarin, por sa duket stafi teknik duhet t’i bëjë planet pa sulmuesin për ndeshjen e së shtunës. Shpresa për t’u rikuperuar është minimale, por nga ana tjetër kërkohet të mos rrezikohet, me qëllimin që të jetë gati për ndeshjet e tjera. Nëse mungon ndaj Luftëtarit, atëherë Danilo Alvesh do të jetë plotësisht gati për sfidën me Vllazninë, që do të jetë mysafire e Flamurtarit në Vlorë pas ndeshjes me gjirokastritët. Braziliani i sulmit ka zhvilluar një përgatitje të veçuar nga grupi i lojtarëve të tjerë të skuadrës. Veç tij kanë munguar edhe Kamara e Ardit Hoxhaj, lojtarë të cilët janë të dëmtuar dhe nuk do të jenë të gatshëm për sfidën e ditës së shtunë. Mungesa e Alvesh cilësohet mjaft e rëndësishme përpara një sfide mjaft të rëndësishme si ajo e ditës së shtunë, pasi synohet rezultat pozitiv me qëllim që skuadra të mbetet në luftë për të kapur një vend në kupat e Europë. Por nëse mungon Alvesh, i rëndësishëm është rikthim i kapitenit Tomislav Bushiç, i cili ka zhvilluar përgatitje normalisht me skuadrën gjatë ditës së mërkurë, duke konfirmuar prezencën e tij për takimin e ditës së shtunë.

PËRGATITJET

Flamurtari ka vijuar përgatitjet për Luftëtarin, teksa skuadra ka zhvilluar një seancë gjatë pasdites në fushën sportive të Pyllit të Sodes. Forcë dhe ushtrime me topin, kjo ka qenë panorama e  përgatitjeve e ekipit vlonjat, ndërkohë që synohet vazhdimësia e rezultateve pozitive pas fitores me Teutën. Të shtunën luhet në Gjirokastër, një përballje mjaft e rëndësishme për ecurinë e skuadrës kuqezi në rrugën drejt Europës, ndaj edhe stërvitja ka vijuar të jetë mjaft intensive. Trajneri  Ardi Behari, por edhe pjesa tjetër e stafit teknik, kanë kërkuar nga lojtarët të jenë të përgjegjshëm dhe të punojnë me intensitet në seancat stërvitore, me qëllim marrjen e maksimumit në ndeshjen me Luftëtarin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *