Danilo Alvesh mban peng merkaton e Flamurtarit

Flamurtari nuk do të bëjë lëvizje tjetër në merkato deri më 19 korrik, pasi pritet të shihet se çfarë do të ndodhë me brazilianin. Bakaj mund të tentohet sërish

Elton Nika

Me Bakajn që për momentin synon një kampionat jashtë vendit dhe Danilo Alvesh që duket gjithmonë edhe më larg Flamurtarit, në Vlorë nuk kërkojnë të jenë të papërgatitur për një tjetër sulmues. Duket se do të jetë sërish i huaj lojtari i sulmit që pritet t’i bashkohet Flamurtarit në këtë merkato vere ,megjithatë janë disa pista që po studiohen me kujdes nga stafi teknik dhe drejtuesit e Flamurtarit.

Gjasat janë që afrimi në sulm të ndodhë gjatë kohës kur skuadra të jetë në fazë përgatitore, pasi tek Flamurtari nuk kërkojnë të nxitohen. Fillimisht do të pritet përgjigja përfundimtare nga Elis Bakaj, që pavarësisht faktit se nuk është arritur akordi me të, ka ende një shteg të hapur që lojtari të vishet kuqezi për sezonin e ardhshëm, gjithmonë nëse ky i fundit nuk largohet për të luajtur jashtë vendit.

Një tjetër fakt që bën vlonjatët të mos nxitohen lidhet edhe me të ardhmen e Danilo Alvesh, ndaj deri në datë 19 korrik, kur skuadra do të grumbullohet nuk do të ketë lëvizje të tjera në merkato. Pavarësisht deklaratave të brazilianit, në Vlorë e kanë shprehur disa herë se lojtari do të pritet te Flamurtari deri në ditën e parë të përgatitjeve dhe më pas do të shihet se si do të veprohet kundrejt tij. Nëse Alvesh nuk rikthehet, siç dhe janë të gjitha gjasat, çështa do të përfundojë në gjykatë. Atëherë vlonjatët do të hidhen sërish në sulm për Bakajn, sigurisht nëse do të jetë lojtar i lirë.

Ajo që është e qartë, ka të bëjë me faktin se vlonjatët nuk do të lëvizin për momentin në merkato, por burime nga klubi vlonjat kanë saktësuar se deri më tani ka patur kontakte me dy futbollistë  cilësorë, por emrat e tyre nuk zbulohen. Pra, duket se merkato e Flamurtarit për momentin është ndaluar, ndërsa në vijim do të ketë sërish të tjera zhvillime, të lidhura kryesisht me afrimin e një sulmuesi, fundit të menduar në këtë merkato vere dhe që është pikërisht sulmi, reparti ku edhe vetë trajner Shpëtim Duro ka deklaruar se duhet të plotësohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *