Dani Alvesh dhe letra e tij: Sekreti im!

Për www.theplayerstribune.com, Dani Alvesh ka shkruar një letër, ku flet për gjithçka: jeta e vet, Brazili, Barcelona, Champions League e shumë gjëra të tjera…

“Unë do ta nis me një sekret. Në fakt, ju mund të mësoni disa sekrete në këtë histori, sepse ndihem sikur jam keqkuptuar nga shumë njerëz. Por le ta fillojmë me të parën.

Tre muaj më parë, kur Barcelona kreu përmbysjen e pabesueshme kundër PSG-së në Ligën e Kampionëve, po shihja gjithçka nga divani im. Duke u besuar gazetave, ju mund të mendoni se po shpresoja që klubi im i vjetër të humbte. Por, kur vëllai im Nejmar shënoi atë goditje të bukur të lirë? U hodha nga divani dhe po i bërtisja televizorit: “Vamoooooooos!”

Po kur Sergi Roberto bëri një mrekulli në minutën e 95-të? Ashtu si çdo tifoz tjetër i Barcelonës në botë, po çmendesha. Sepse e vërteta është se Barcelona është ende në gjakun tim.

 

A tregoi mungesë respekti ndaj bordi drejtues para se të largohesha nga klubi verën e kaluar? Absolutisht. Kjo është thjesht se si ndihem dhe nuk ma ndryshoni dot mendjen. Kur luan për një klub për tetë vjet dhe arrin ato qe kemi arritur, nuk mund të mos e kesh ne zemër atë klub. Menaxherët, lojtarët dhe anëtarët e bordit vijnë dhe shkojnë. Por Barca mbetet gjithmonë.

Para se të shkoja te Juventusi, i bëra një premtim bordit te Barcelonës, duke u thënë: “Do t’ju mungoj”.

Nuk e kisha fjalën si lojtar. Barca ka shumë lojtarë të pabesueshëm. Ajo që unë doja te thosha ishte se ata do të humbnin shpirtin tim. Ata do të humbnin kujdesin që kisha për dhomat e zhveshjes. Ata do të humbnin gjakun që derdhja sa herë që vesha atë fanelle.

Kur duhej të luaja kundër Barcelonës në raundin tjetër, ishte një ndjenjë shumë e çuditshme. Sidomos në ndeshjen e dytë në Camp Nou, u ndjeva si në shtëpi përsëri. Para fillimit të ndeshjes, shkova në bankën e Barçës për të përshëndetur miqtë e mi të vjetër, dhe ata thoshin: “Dani, ejani të uleni me ne! Ne kemi ruajtur vendin tuaj! ”

Unë u shtrëngoja dorën dorën të gjithëve, me shpinën nga gjyqtari. Papritur, dëgjova një bilbil. U ktheva dhe gjyqtari e kishte filluar ndeshjen. U ktheva në fushë dhe dëgjova trajnerin tim të mëparshëm, Luis Enrike, duke u gajasur.

Për të qeshur, apo jo? Por kjo ndeshje nuk ishte një shaka, sidomos jo për mua. Njerëzit më shohin dhe thonë: “Dani bën gjithnjë shaka. Ai buzëqesh gjithmonë. Ai nuk është serioz”.

Dëgjoni, do t’ju them një tjetër sekret. Para se të përballet me sulmuesit më të mirë në botë – Kristiano Ronaldo, Mesi, Nejmar – unë studioj pikat e forta dhe dobësitë e tyre dhe pastaj planifikoj se si do t’i sulmoj. Qëllimi im është t’i tregoj botës se Dani Alvesh është në të njëjtin nivel. Ndoshta ata do të më driblojnë një herë apo dy herë. Sigurisht, gjithçka në rregull. Por edhe unë do t’i sulmoj. Nuk dua të jem i padukshëm. Dua skenën. Edhe në moshën 34-vjeçare, pas 34 trofeve, ende ndjehem se duhet ta dëshmoj këtë çdo herë.

Por shkon edhe më thellë se kaq. Unë para çdo ndeshje kam të njëjtën rutinë. Qëndroj para një pasqyre për pesë minuta dhe bllokoj çdo gjë. Pastaj një film fillon të luajë në mendjen time. Është filmi i jetës sime…

Në skenën e parë, unë jam 10 vjeç. Po fle në një shtrat betoni në shtëpinë e vogël të familjes sime në Zhauzeiro të Brazilit. Dysheku mbi krevat është aq i trashë sa gishti juaj i vogël. Shtëpisë i vjen ere tokë e lagur dhe jashtë është errësirë. Është 5 e mëngjesit dhe dielli akoma nuk ka dalë, por duhet të dal e të ndihmoj babanë tim në fermë para shkollës. Vëllai im dhe unë shkojmë në fushë dhe babai ynë është duke punuar atje. Ai ka një bombole të madhe dhe të rëndë në shpinë dhe po spërkat frutat dhe bimët me kimikate për të vrarë bakteret.

Ne ndoshta jemi shumë të rinj për t’u marrë me helmet, por ne e ndihmojmë atë gjithsesi. Kjo është mënyra jonë për të mbijetuar. Për orë të tëra, bëj garë me vëllanë tim për të parë se kush punon më shumë. Sepse pastaj më i miri merrte si shpërblim nga babai të drejtën për të përdorur biçikletën dhe kishim vetëm një të tillë.

Nëse nuk fitoj biçikletën, duhet të ecja 20 km nga ferma në shkollë. Rruga nga shkolla për në shtëpi ishte edhe më e keqe, sepse ndeshjet e futbollit në lagje do të fillonin pa mua. Kështu që i bëj me vrapo ato 20 km, për te shkuar drejt në fushë.

Por nëse e fitoj biçikletën? Atëherë mund të “rimorkioj” vajzat. Marr një prej tyre në rrugë dhe i ofroj një udhëtim deri në në shkollë. Për 20 km, jam njëshi! Kështu, bëhesha copash në punë.

Shoh babain ndërsa iki në shkollë dhe ai e ka ende në shpinë bombolën e  madhe. Ai do të punojë gjithë ditën në fushë, ndërsa në darkë shkon e punon në një lokal për të fituar diçka më shumë. Ai ishte alamet futbollisti kur ishte i ri, por nuk kishte para, që të shkonte në një qytet të madh e të binte në sytë e vëzhguesve. Ai është gati të japë jetën, vetëm e vetëm që atë mundësi ta kem unë.

 

Ekrani nis e errësohet.

Tani është e diel, dhe po shikojmë ndeshjet e futbollit në televizionin tonë bardhë e zi. Antena është e mbështjellur me rrjetë metalike, për tëkapur sinjalin televiz që vjen nga qyteti, shumë larg. Për ne, kjo është dita më e mirë e javës. Ka shumë gëzim në shtëpinë tonë.

 

Ekrani nis e errësohet.

Tani babai po më çon në qytet në makinën e tij të vjetër kështu që mund të provoj veten para disa skautëve. Makina është e vjetër, ka vetëm dy marshe – ngadalë dhe më ngadalë – ndërsa unë e ndjej aromën e tymit.

 

Babai im është një person që gjen mënyra të ndryshme për të fituar ndonjë të hollë, ashtu duhet të bëhem edhe unë.

 

Ekrani nis e errësohet.

Tani jam 13 vjeç dhe jam në këtë akademi për futbollistët e rinj në një qytet më të madh, larg familjes sime. Ka 100 fëmijë të ngjeshur në një konvikt të vogël. Është si një burg. Një ditë para se të largohesha, babai im më bleu një kostum të ri futbolli. Ai dyfishoi garderobën time, sepse unë kisha vetëm një kostum.

Pas ditës së parë të stërvitjes, e vara kostumin e ri për t’u tharë. Mëngjesin tjetër, ishte zhdukur. Dikush e ka marrë. Aty e kuptoj që nuk jam më në fermën time në fshat. Kjo është bota e vërtetë, dhe arsyeja pse e quajnë bota e vërtetë është sepse aty është mjaft e vështirë.

Unë kthehem në dhomën time dhe po ngordh. Ne stërvitemi gjithë ditën, dhe nuk ka ushqim të mjaftueshëm në kamp. Dikush më vodhi rrobat. Më mungon familja ime dhe pa asnjë dyshim nuk jam lojtari më i mirë këtu. Nga 100, unë jam ndoshta i 51-ti nga aftësitë. Kështu, i bëj vetes një premtim.

I them vetes, “Nuk do kthehesh në fermë derisa ta bësh babanë krenar. Ti mund të jesh i 51 në aftësi, por mund të bëhesh numri 1 ose 2 nga shpejtësia dhe energjia. Ti do të jesh luftëtar. Ti nuk do të kthehesh në shtëpi, çfarëdo që të ndodhë.”

 

Ekrani nis e errësohet.

Tani unë jam 18 vjeç dhe po tregoj një nga gënjeshtrat e vetme që kam thënë ndonjëherë në futboll.

Unë jam duke luajtur për Bahian në ligën braziliane, kur një skaut i madh vjen tek unë dhe thotë, “Sevilja është e interesuar të nënshkruajë me ty”.

Unë them, “Sevilja! Mrekulli”.

Skauti më thotë, “A e dini se ku është?”

Unë them, “Natyrisht unë e di ku është Sevilla. Seviiiiljaaaaa. Më pëlqen”.

Në fakt, unë nuk kam idenë se ku është Sevija. Mund të jetë në hënë, ku ta di unë. Por mënyra se si ai e thotë emrin e bën të rëndësishëm, prandaj gënjeva.

Disa ditë më vonë, unë filloj të pyes dhe zbuloj se Sevilja luan kundër Barcelonës dhe Real Madridit.

 

Ekrani nis e errësohet.

Tani jam në Sevilla dhe jam aq pak i zhvilluar fizikisht e i kequshqyer, saqë mendojnë se duhet te luaj për ekipin e të rinjve. Janë gjashtë muajt më të vështirë të jetës sime. Unë nuk flas spanjisht. Trajneri nuk më hedh në fushë dhe është hera e parë që vërtet mendoj të kthehem në shtëpi.

Por pastaj, mendoj për veshjen e re që babai më bleu kur isha 13 vjeç. Ajo që ma vodhën. Mendoj për atë bombolën e varur në shpinë, për spërkatjen e kimikateve. Dhe vendosa të qëndroj dhe të mësoj gjuhën dhe të përpiqem të bëj disa miq, kështu që të paktën mund të kthehem në Brazil me një përvojë të re.

Kur fillon sezoni, trajneri i udhëzon të gjithë: “Në Sevilje, mbrojtja jonë nuk e kalon vijën e mesfushës. Asnjëherë.”

Luaj disa ndeshje duke shkemuar topin e duke shikuar vijën e mesfushës, si një qen i cili ka frike të kalojë një gardh të padukshëm në oborrin e tij. Pastaj, në një ndeshje dola përpara, u bëra vetvetja.

Iki përpara. Sulm, sulm, sulm.

Punon si magji. Pas kësaj, trajneri thotë, “OK, Dani. Plani i ri. Në Sevilje, ti do sulmosh”.

Në pak sezone kalojmë nga rreziku i rënies nga kategoria te triumfi, 2 herë, në Kupën UEFA.

 

Ekrani nis e errësohet.

Telefoni im bie. Është agjenti im. “Dani, Barcelona është të interesuar të nënshkruajë me ty”.

E di ku është Barcelona, këtë radhë nuk më duhej të gënjeja.

 

Ky është filmi që luan në kokën time kur shikoj pasqyrën para çdo ndeshjeje. Në fund, para se të kthehem në dhomën e veshjes, gjithmonë i them të njëjtën gjë vetes.

Ta marrë dreqi, kam ardhur nga askundi.

Jam këtu tani.

Është joreale, por jam këtu.

Kur isha 18 vjeç kalova oqeanin vetëm për të pasur një shans të luaja kundër Barcelonës, ndërsa tani kam nderin të luaj për të? E pabesueshme.

Mbaj mend gjatë një seance stërvitore, Mesi po bënte gjëra me topin në këmbët e tij që sfidonin logjikën. Natyrisht, kjo është ajo që bënte çdo ditë. Vetëm këtë herë, diçka ishte ndryshe.

Tani, më duhet t’ua kujtoj, kjo ishte një seancë stërvitore jashtëzakonisht intensive.. Nuk po talleshim. Mesi po driblonte përmes mbrojtjes duke shënuar me lehtësi të frikshme.

Dhe pastaj, ai me kalon mua, unë e shikoj posht te kembet e tij, dhe unë jam duke menduar me veten time, A është kjo një shaka?

Ai vjen përsëri e më driblon dhe mendoj, Jo, është e pamundur.

Ai vjen përsëri me kalon, dhe tani jam i sigurt se çfarë po shoh.

Lidhëset e tij janë të palidhura. Të dyja… Ky djalosh po luan kundër mbrojtësve më të mirë në botë, vetëm duke lundruar rreth fushës dhe ai po vepron si në një të diel në park. Ky ishte momenti kur e dija se kurrë nuk do të luaja me dikë si ai në jetën time.

Dhe pastaj sigurisht është Pep Guardiola.

Nëse e ktheni fjalën kompjuter mbrapsht, lexohet Stiv Xhobs.

Nëse e ktheni fjalën futboll mbrapsht, lexohet Pep.

Ai është një gjeni. E them sërish. Një gjeni.

Pep na tregonte saktësisht se si do të ndodhte gjithçka në një ndeshje para se të ndodhte. Për shembull, ndeshja kundër Real Madridit në vitin 2010, kur fituam 5-0, Pep na tha para ndeshjes, “Sot, do të luani sikur futbolli luhet me një top zjarri. Nuk qëndron kurrë në këmbët tuaja. As një gjysmë sekonde. Nëse e bëni këtë, nuk do të ketë kohë që ata të na bëjnë presion. Ne do të fitojmë me lehtësi. ”

Mjaftonte ai fjalim, që të na dukej se ishim në avantazh 3-0 pa filluar, na dukej se kishim fituar pa luajtur ende. Pep ishte trajneri i parë që më mësoi të luaja pa top, duke më bindur pse duhet t’i bëja disa gjëra, jo thjesht të zbatoja urdhrin e tij.

Luanim përmendësh, skuadrat e Barcelonës në ato kohë ishin të pathyeshme. Ne tashmë e dinim se çfarë do të bënim. Nuk duhej të mendonim.

Kjo është arsyeja pse, deri më sot, Barca është në zemrën time.

Kjo është arsyeja pse, kur ne mundëm Barcelonën në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, unë shkova te vëllai im Nejmar dhe i dhashë atij një përqafim. Ai po qante, dhe një pjesë e imja e ndjeva sikur po qante.

Unë mund ti imagjinoj njerëzit të lexojnë këtë dhe të pyesin përse po i ndaj këto sekrete.

Epo, e vërteta është se unë jam 34 vjeç. Nuk e di sa do të vazhdoj të luaj. Ndoshta dy ose tre vjet. Dhe ndihem sikur njerëzit nuk më kuptojnë mua dhe historinë time të plotë.

Kur erdha te Juventusi këtë sezon, ishte sikur isha larguar përsëri nga shtëpia. U bëra si të isha 13 vjeç, duke shkuar në akademi. E bëra përsëri 18-vjeçar duke shkuar në Spanjë. Dhe pastaj e bëra përsëri 33 vjeç, duke shkuar në Itali.

Kur erdha për herë të parë në Juve, ishte sikur të shkoja në një shkollë krejtësisht të re. Gjithë jetën time kisha dashur të sulmoja. Dhe tani erdha në një vend ku vlerësojnë mbrojtjen mbi çdo gjë.

Edhe një herë, unë isha si qeni në oborr. Unë po shihja gardhin e padukshëm.

Duhet ta kaloj?

Por unë nuk e kalova. Në fillim të sezonit, dëshiroja të sigurohesha që lojtarët e Juves të kuptojnë se e respektoja filozofinë e tyre dhe historinë e tyre. Sapo u sigurova që kisha respektin e tyre, u përpoqa t’u tregoja edhe pikat e mia të forta.

Një ditë e pashë veten te vija e mesit të fushës dhe i thashë vetes, A duhet të shkoj para?

… Po, ishte momenti.

Sulm, sulm, sulm (Dhe, O.K., mbase mund të mbroj nga pak, ose Bufon do të më bërtasë.)

 

Unë ndonjëherë mendoj se jeta është një cikël.

Shiko, nuk mund të largohem nga këta argjentinas.

Në Barcelonë, kisha Mesin.

Te Juve, kam Dibalan.

Gjenite po më ndjekin kudo, ju betohem.

Në një ditë trajnimi, pashë diçka te Dibala që kisha parë më parë te Mesi. Nuk ishte vetëm dhurata e talentit të pastër. E kam parë atë shumë herë në jetën time. Ishte dhurata e talentit të pastër të kombinuar me vullnetin për të pushtuar botën.

Te Barcelona, ne luanim përmendësh.

Te Juve është ndryshe. Është mentaliteti ynë kolektiv që na ka çuar në finalen e Ligës së Kampionëve. Kur fërshëllen, ne thjesht gjejmë një mënyrë për të fituar pa marrë parasysh çfarë. Fitimi nuk është vetëm një qëllim në Juve, është si një mani. Nuk ka justifikime.

Unë e di se ata kurrë nuk do ta pranojnë këtë.

A ju kujtohet ajo që ju thashë për momentin në akademinë në Brazil? Kur thashë me vete se kurrë nuk do të kthehesha në fermë derisa ta bëja babanë tim krenar?

Epo, babai im nuk është një njeri shumë emocional. Asnjëherë nuk e dija se kur e kisha bërë atë me të vërtetë krenar. Për shumicën e karrierës sime, ai ishte kthyer në shtëpi në Brazil. Por në vitin 2015, ai ishte atje në Berlin për të më parë të fitoj finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë personalisht. Më kujtohet pas festimeve të trofeve në fushë, Barça kishte një festë të veçantë për familjet e lojtarëve. Duhet t’ua dorëzojmë trofeun njerëzve që na kanë ndihmuar të arrijmë ëndrrat tona. Mbaj mend kur ishte radha ime e kalova trofeun tek babai im dhe ne të dy e mbanim atë, duke u paraqitur për një foto.

Dhe ai tha diçka në portugezçe, që në të vërtetë është një fjalë e ndyrë, kështu që unë nuk do ta përkthej atë fjalë për fjalë.

Por ai në thelb tha: “Djali im është bërë burrë tani”.

Dhe ju e dini çfarë? Ai po qante si një fëmijë.

Ky ishte momenti më i madh i jetës sime.

Të shtunën, do të kem mundësinë të luaj për një tjetër trofe të Ligës së Kampionëve kundër një kundërshtari shumë të njohur. Ashtu si gjithmonë, unë do të studioj Kristianon. Si gjithmonë, unë do të shkoj në pasqyrë para ndeshjes dhe të luaj të njëjtin film në mendjen time.

Ekrani do të nxihet, dhe unë do t’i kujtoj këto gjëra ….

Krevati im i betonit.

Era e tokës së lagësht.

Babai im me bombolën e kimikateve në shpinë.

Udhëtimi me biçikletë 20 km për në shkollë.

Veshje e re.

“Sigurisht që unë e di ku është Sevilja”.

Dreq, kam ardhur nga askund.

Unë jam këtu tani.

Është joreale, por jam këtu”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *