Dalipi: Kartoni i kuq inekzistent, për pak ditë na përgjysmuan skuadrën

Zëvendëstrajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, ka qenë dukshëm nervoz pas humbjes kundër Kukësit, duke u ankuar për katronin e kuq dhënë nga arbitri Meta, që sipas Dalipit ishte shumë i ekzagjeruar. Edhe Dalipi, ashtu si drejtori Rama, ka përmendur rastin e pezullimit të Bathës dhe Trashit si një rast pa precedent, sepse në Shqipëri nuk përdoret prova televizive.

“Lojtarët që zëvendësuan ata që mungonin dhanë më të mirën e vet, por mungesat e Trashit dhe Bathës në një ndeshje vendimtare si e sotmja bëjnë diferencën. Në ndeshje kyçe duhen lojtarë me eksperiencë, që të zgjidhin lojën ose të menaxhojnë avantazhin, ndaj vuajtëm. Gjithsesi, deri te dalja me karton të kuq e Çulumit ishim duke luajtur mirë. Te kartoni i kuq dua të ndalem, sepse Meta është arbitër me eksperiencë dhe duhej të tregonte kujdes, sepse me të verdhin e dytë prishi garën. “Nuk pati faull të qëllimshëm, apo për të evituar rast goli. Çulum nuk kishte arsye për të bërë faull dhe ishte një duel për topin, ku Çulum për inerci i zuri rrugën lojtarit të Kukësit. Arbitri e dinte që Çulum kishte një karton të verdhë, mund të ndalej me një paralajmërim.

“Paraqitja? Çfarë duhej të bënim me shumë, pa Bathën, Trashin e Prognin. Ne nuk mund të bëjmë eksperimente, sepse do prishej boshti. Kemi ndeshje shumë të rëndësishme në Korçë të premten, është e qartë që është një transfertë shumë e vështirë dhe tashmë morali i skuadrës është i ulët, e pranoj.

“Vendimi për pezullimin e Trashit dhe Bathës? Do ishte normale të merrnin karton të kuq gjatë ndeshjes, por jo kështu. Si u dënuan, me provë televizive? A zbatohet ky rregull për të gjithë lojtarët? Ne kemi parë plot raste për lojtarë që kryejnë gjeste antisportive, por nuk përdoret prova televizive kështu, aq më shumë 48 orë para ndeshjes së radhës.

“Mungesa e qetësisë? Lojtarët janë të qetë, Partizani nuk i ushqen lojtarët me frymën e tensionit dhe polemikave, por pas kartonit të kuq të Çulumit lojtarët normalisht që u nervozuan. Është një tension që vjen vetiu, për pak ditë na heqin dy titullarë, na ndëshkojnë me karton të kuq, duket sikur po na vjedhin.

“Raporti me Starovën? Nuk ka asnjë lloj krisjeje, nuk ekziston, ju siguroj. Ai është trajneri, unë jam zëvendësi dhe dal para jush vetëm për shkak se Starova nuk lejohet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *