Dalipi: Besim te Çani. Zëvendëstrajner nuk kthehem më

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, foli nga një konferencë për shtyp para ndeshjes me Laçin. Numri një i stolit u përball me pyetjet e gazetarëve nga zyra e klubit, prej orës 12:00. Ai gjendet disi në vështirësi dhe në siklet në momentin që pyetet në lidhje me zërat që drejtuesit po flasin me një trajner të ri, por njëkohësisht e pranon hapur se nuk do të qëndrojë më si zëvendëstrajner, pasi ka nisur një kapitull i ri në kapitull i ri në karrierën e tij profesionale. 42-vjeçari nuk preferon të merret me deklaratat e trajnerit Sulejman Starova, pasi mendon se koha e tij shkon vetëm për ekipin e kuq.

– Pas disa rezultatesh pozitive, vjen radha e transfertës së Laçit. Cila është gjendja e Partizanit para kësaj sfide?
– Vijmë pas një serie rezultatesh pozitive, por ajo që më bind mua dhe stafin janë lojërat e mira, që po zhvillojmë, dhe interpretimi i lojtarëve në fushë. Duke qenë se përballjet me Laçin nuk flasin në favorin tonë, jemi përgatitur se na pret një ndeshje e vështirë. Dihet fusha e Laçit, është shumë e vështirë për të gjitha skuadrat, por ne i kemi marrë masat dhe shkojmë atje për të marrë maksimumin. Presim një ndeshje të luftuar dhe më pas kualitetet do ta bëjnë diferencën.
– A mendoni se jeni disi të avantazhuar, pasi Laçi ka luajtur në mesjavë ndaj Kukësit?
– Nuk besoj, pasi tashmë janë të gjitha kushtet që lojtarët të rikuperohen në kohën e duhur. I vetmi avantazh që kemi është se kemi patur më shumë ditë në dispozicion për ta përgatitur këtë ndeshje. Tashmë janë 9 finale të mbetura dhe të gjitha skuadrat dihet se do të luftojnë për objektivat e tyre.
– Ndaj Laçit, do të jetë një duel i drejtpërdrejtë për Kupat e Europës. A ka tension përpara kësaj sfide?
– Laçi luan në dy kompeticione, kampionat dhe Kupë, prandaj mendoj se është disi më i favorizuar se ne. Tashmë e kemi deklaruar, se çdo ndeshje e mbetur është finale për Partizanin. Ne synojmë vetëm fitore, pastaj çfarë ndodh brenda 90 minutave le t’ia lëmë fushës së lojës. Fitoftë ai që e meriton!
– Në këtë ndeshje jeni të detyruar të bëni ndryshime në formacion. Besoni se do të funksionojë skema e re?
– Sigurisht, do të kemi ndryshime në formacion, sepse Çani rikthehet në formën e tij më të mire. Kam shumë besim në aftësitë e tij. Ai është një lojtar me shumë grintë dhe dëshirë për të arritur të jetë ai sulmues, që të gjithë e njohin, dhe të japë maksimumin për veten e fanellën e Partizanit. Këtu shtoj edhe Lukasin, i cili vjen pas atij goli individual, që na dhuroi fitoren e merituar në Kamëz. Pra, konkurrenca është shumë e madhe. Me rikthimin edhe të Telushit, Fejzullahit dhe Abdurahimit, që po rigjen formën. Presioni për të bërë zgjedhjet e duhura për ne si staf është i pranishëm. Unë e kam thënë që do të luajnë ata që e meritojnë.
– 3 ndeshje, asnjë gol ndaj Laçit. Mendoni që Partizani do të jetë më sulmues në këtë ndeshje dhe do e gjeni golin?
– Çani dhe Lukas kanë shënuar së fundi dhe tashmë japin garanci, por të mos harrojmë që kemi edhe lojtarë të tjerë, si Progni, i cili ka bërë shumë mirë këto ndeshjet e fundit. Ai është një lojtar që di t’i ruajë mirë ekuilibrat e lojës. Asani e njeh shumë mirë portën, por edhe dyshja e mesfushës Batha-Mala. Mendoj që duke dhënë më të mirën këta lojtarë, Partizani do ta realizojë objektivin: pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
– A të shqetësojnë zërat që klubi po bisedon me një trajner të huaj?
– Nuk më shqetësojnë sepse dihet që në momentin që unë u emërova si trajner i Partizanit, ishte periudhë emergjence. Deshi fati apo edhe merita e lojtarëve të cilët ndryshuan një marsh dhe e çuan skuadrën këtu ku është. Puna ime apo e skuadrës do ta tregojë kush do të vazhdoj sezonin e ardhshëm.
– Në qoftë se në sezonin e ardhëm do t’ju kërkonin të ishit zëvendëstrajner, do e pranonit?
– Besoj që tashmë ka filluar një kapitull i ri dhe do të mendoj më të mirën për të bërë atë që më takon. Gjatë kohës që kam qenë zv.trajner kam pasur shumë kërkesa për të qenë trajner i parë. Kam duruar dhe kam pritur momentin tim. Ky moment erdhi dhe dua ta shijoj. Se çfarë do ndodhi do t’ia lemë kohës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *