Daliç: Është ndeshja e jetës sonë, krenarë që lumturuam një komb

“Nëse do ta fitojmë Kupën, askush nuk do jetë më krenar se ne, që vijmë nga një komb kaq i vogël. Në rast disfate, do t’u bëjmë komplimente kundërshtarëve”. Kështu flet Zllatko Daliç, trajneri i Kroacisë, i cili në një farë mënyre thotë atë që mendojnë 4.5 milionë kroatë, një popull i tërë që po përjeton diçka të pabesueshme, vigjiljen e parë të një finaleje në Kupën e Botës, atë kundër Francës të dielën në orën 17.00, në Moskë.

“Nuk na intereson kush është kundërshtari, as traditat e as statistikat, – thotë Daliç – ato janë bërë për t’u shembur. E dimë që e gjithë bota do të na shohë, por do të dalim në fushë të luajmë futboll ashtu si dimë, pa menduar për asgjë tjetër. Do të jetë një moment që e kemi merituar, është ndeshja më e rëndësishme e jetës sonë. Shpresoj që nesër të jenë 4 milionë kroatë nëpër rrugë duke festuar, duke e kthyer në karnavale, si bëjnë në Brazil apo Argjentinë”.

“Jemi krenarë për gëzimin që i kemi dhuruar popullit kroat. Në Kroaci njerëzit kanë lënë mënjanë problemet dhe hallet, duke treguar krenari dhe gëzim. Ajo e nesërmja do të jetë ndeshja më e madhe, si për ne, ashtu edhe për popullin tonë. Jemi gati të japim gjithçka dhe të pranojmë humbjen me dinjitet, nëse do nevojitet.

“A kanë probleme fizike lojtarët? Nëse do kishin, do ma thoshin, duke parë marrëdhënien që kemi, por askush nuk më ka thënë gjë, ndaj janë të gjithë të gatshëm. Mes nesh nuk ka mistere e as diskutime dhe të gjithë ata që janë këtu më respektojnë, marrëdhënia jonë është e ndërtuar te besimi dhe respekti. Unë vendos për formacionin, kohë për debate nuk kemi, edhe pse flas gjithmonë me lojtarët e mi. Presion mbi vete nuk kemi, nëse mungon ndonjëri për probleme fizike, kam lojtarë fantastikë në stol”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *