Dajsinani kërkon të luajë, kalon nga Skënderbeu tek Erzeni

Erzeni luan në transfertë ndaj Dinamos në “Pezë-Helmes”, në ish- shtëpinë ku para dy sezonesh shijakasit surprizuan me ndeshjet e bukura që zhvillonin. Skuadra e drejtuar nga Dorian Bubeqi rikthehet aty me objektivin për të fituar ndaj bluve.

Krahas përgatitjeve për ndeshjen e radhës, Erzeni është aktiv edhe në merkato, sepse mësohet se te shijakasit është huazuar portieri Dajsinani nga Skënderbeu dhe pritet ta nisë si titullar. Talenti i cili luante te Partizani deri sezonin e fundit zgjodhi të shkonte në Korçë këtë verë, por aty nuk ka hapësirë, duke parë që Orges Shehi do të vazhdojë edhe këtë sezon, ndaj është zgjedhur huazimi në Shijak.

PASHAJ – Ndërkaq, shënuesi më i mirë i sezonit të shkuar, Armand Pasha, deklaron se fitorja është detyrim për Erzenin në këtë ndeshje.

“Kemi zhvilluar stërvitje intensive dhe jemi shumë optimistë se në këtë transfertë të parë do dalim me tre pikë. Rruga jonë sa ka nisur dhe nuk falen gabimet në start. Dinamon e respektojmë, por në fushën e lojës Erzeni do jetë më i madh se kundërshtari. Në këtë ndeshje do të na mungojnë tifozët e zjarrtë për shkak të mosplotësimit të kushteve në kompleksin ku do zhvillohet takimi, një humbje jo e vogël kjo, pasi kemi kujtime të bukura. Në mungesë të tyre kemi detyrën t’i gëzojmë me një fitore. Të jem sërish golashënues nuk është objektivi im, por dua që Erzeni të ecë para dhe pse jo ta mbyllim si kampionë”, përfundon Pasha, sulmuesi kryesor i Erzenit, i cili luan prej 4 vitesh me shijakasit. 

Glen Domi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *