Daja-Takaj, sot takimi për merkaton e Skënderbeut

Presidenti dhe trajneri do të diskutojnë me detaje për lëvizjet që pritet të bëhen. Kërkesa e parë e Dajës për afrimet është një sulmues

Leonard Trebicka

Emra të ndryshëm qarkullojnë çdo ditë te Skënderbeu, por gjithçka është në kuadrin e fjalëve. Diçka konkrete mund të ketë sot, pas takimit mes trajnerit Ilir Daja dhe presidentit të skuadrës, Ardjan Takaj. Nesër (sot) pres telefonatën nga ana e presidentit dhe më pas të takohemi për të biseduar rreth merkatos. Kaq mund të them për momentin, të rejat do të zbulohen pas këtij takimi, – ka pohuar dje trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, për Sport Ekspres. Kështu, takimi “kokë më kokë midis trajnerit dhe presidentit do të zbardhë diçka në lidhje me atë çfarë pritet të ndodhë te korçarët gjatë merkatos së dimrit. Takimi mund të zhvillohet në Durrës dhe presidenti Takaj do të dëgjojë së pari trajnerin Daja për analizën që do ti bëjë periudhës që ka kaluar në kampionat, grupit të lojtarëve dhe notave që ai do tu vendosë të gjithëve. Më pas, presidenti Takaj do të bëjë propozimet e tij në lidhje me lojtarët që janë piketuar. Hollësi të tjera sigurisht që do të ketë pas takimit të sotëm.

DAJA – Trajneri i bardhekuqve është kthyer dje në Shqipëri dhe nga sot do të nisë punën, ku ptohet, jo me skuadrën, por me drejtuesit e klubit për sa i takon merkatos. Po çfarë lojtarësh i duhen Dajës në këtë moment? “Skënderbeu ka nevojë për përforcime në merkaton e dimrit, ku parësosre është afrimi i një sulmuesi. Mungesën e një lojtari tjetër në repartin e avancuar e kemi ndjerë. Jo se Skënderbeu nuk ka futbollistë. Por, për të rritur më shumë cilësinë dhe për të rritur njëkohësisht edhe konkurrencën, dua të them se është e nevojshme që të forcohet reparti i sulmit. Për repartet e tjera do të shohim, nëse do të kemi të larguar, ose lojtarë që do të shiten, në bazë të nevojave të klubit. Për momentin nuk kemi nevojë, prandaj le të presim dhe të shohim për këto reparte. Nuk di çfarë të them më shumë, pasi pres të zhvilloj takimin me presidentin. I vetmi objektiv i imi është që në gjysmën tjetër të Superligës është të jemi më të fortë dhe besoj shumë se kështu do të jetë, – tha dje trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

TAKAJ – Presidenti Ardjan Takaj edhe dje ka vijuar heshtjen në lidhje me medien, duke mos dashur të flasë, siç bën gjithmonë në periudhë merkatoje. Burime pranë presidentit bëjnë me dije se Takaj ka gati një listë me disa lojtarë, të cilët janë studiuar dhe do ti propozohen trajnerit Daja si kandidatë për të veshur fanellën e Skënderbeut. Do të jetë ky i fundit që do të vendosë, por janë emra që mbahen sekret nga drejtuesit e klubit korçar. Sigurisht që në këtë listë ka edhe sulmues, që është nevoja kryesore e ekipit. Më parë, sa herë presidenti Takaj është pyetur për merkaton, ka deklaruar se do të blejë vetëm sulmues. Po kërkohet një zëvendësues për Ali Soue, apo edhe partner i tij. Edhe pas takimit të sotëm me trajnerin, Takaj do të vazhdojë të punojë për të afruar lojtarë të tjerë. Afrimet varen shumë edhe nga shitjet e mundshme, ku Lilaj dhe Jashanica mbeten dy më të lakuarit për momentin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *