Daja: Ta rinisim ku e lamë, dua një ekip të motivuar!

0

Për trajnerin e Skënderbeut, e rëndësishme është që skuadra të ruajë ritmin e mëparshëm dhe të mendohet që tani për shkëputjen

Leonard Trebicka

Rikthehemi pas këtij pushimi të nevojshëm dhe duhet të kapim ritmin e katër javëve të para të kampionatit, ku kemi qenë mirë në performancë dhe në rezultate. Përveç ndeshjes me Kamzën, kemi shënuar nga dy gola në çdo ndeshje dhe kemi pësuar vetëm një. Na duhet përqendrim i madh, pasi Laçi di të bëjë mirë në ndeshje të forta. Duhet të kemi kujdes, sepse dy të tretat e pikëve janë me ekipe që nuk quhen favorite, por kanë vlerë shumë të madhe, – theksoi në nisje të konferencës për shtyp trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

– Daja, kishit kohën e mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen me Laçin. Çfarë mendimi keni për këtë kundërshtar?
– Laçin e kemi studiuar, sepse fokusohemi vetëm te përballja e radhës. Kemi nxjerrë informacionin e nevojshëm dhe sot (dje) paradite kemi parë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Gjithçka është e qartë, por duhet që lojtarët të jenë të motivuar maksimalisht për të bërë atë që duhet, si në 4 javët e para.

Ngarkesa është e madhe në kampionat, para ndeshjes me Partizanin e Beogradit në Europë?
– Të gjithë bashkë jemi të përqendruar vetëm te Laçi, pasi çdo lloj shpërqendrimi do të ishte në dëm të ndeshjes së radhës. Tashmë jemi mësuar me këtë ngjeshje të ndeshjeve dhe me intensitet të lartë, prandaj mendoj se nuk do të jetë problem.

– Si do t’i menaxhoni forcat?
– Nesër (sot), përveç lojtarëve të dëmtuar, do tu japim mundësi të çlodhen edhe ata që ishin të impenjuar me kombëtaren. Mund të bëjmë rotacion, sepse kontigjenti është i mirë dhe na jep dorë për të ruajtur forcat sa më mirë.

– Është e përballueshme në këtë mënyrë?
– Besoj që deri tani e kemi përballuar me sukses dhe mendojmë që të bëjmë të njëjtën gjë në vazhdim. Për mendimin tim, është e përballueshme, sepse çdo rol është i dubluar.

– Laçi ka treguar se është ekip i rrezikshëm me të mëdhatë. I druheni?
– Nëse do ta vlerësojmë Laçin si duhet, mendoj se nuk do të na e bëjë ndeshjen të vështirë. Nëse do të ndodhë e kundërta, jam dakord me ju. Laçi di të bëjë mirë me ekipet pretendente për titull. Shpresoj të mos ndodhë që lojtarët të mos kenë përqendrimin maksimal, pasi do të na duhet të ndërhyjmë që në pjesën e parë, nëse shohim se një individ nuk është aty ku duam.

– Për kapjen e ritmit, është e vështirë të riniseni aty ku e latë?
– Ky është problemi ynë kryesor. Kemi tre pikë diferencë me rivalët dhe besoj se duhet të tentojmë të thellojmë diferencën, në mënyrë që rrugëtimi të jetë më i mirë në të dy kompeticionet.

Pas Laçit vjen Lushnja…
– Mendojmë vetëm Laçin, pa bërë bilanc pikësh. Futbolli i ka të tre rezultatet. Nëse bëhet një lojë e mirë, me të njëjtin ritëm që kemi luajtur në këtë kampionat, do të thotë që ekipi është në rrugën e duhur. Pastaj, nëse fati nuk është në krahun tonë, nuk do të ishte dramë. Nëse ndodh që nuk bëjmë lojën tonë, është problem i madh për ne.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here