Daja: Skënderbeu nuk ka kurrë aleatë, më mirë që u luajt në Korçë

Për trajnerin e Skënderbeut, zgjedhja që është bërë ka qenë më e mira, pasi nuk mund të luhej në një fushë sportive në Shkodër

Leonard Trebicka
Skënderbeu do të presë sot në Korçë skuadrën e Vllaznisë (ndeshje e vlefshme për kampionat), por duhet të ishte luajtur në “Loro Boriçi”, Shkodër. Motivi i ndryshimit të planit duke e bërë skuadrën e Gjokës nga pritëse në udhëtuese… Megjithatë, përpos zhurmës mediatike të krijuar dhe akuzave nga Kukësi, Skënderbeu-Vllaznia që është caktuar të luhet sot në orën 14:00 në Korçë, por kjo për korçarët dhe kryesisht për trajnerin, Ilir Daja është një ndeshje normale dhe pa polemika. Sigurisht, temat e konferencës për shtyp ishin të shumta…

Daja, Skënderbeu-Vllaznia është vendosur të luhet në Korçë. Çfarë mendimi keni për këtë zgjedhje të Federatës?
Të them të drejtën është zgjedhja më e mirë që mund të bëhej në një moment ku ne kërkojmë që futbollin në Shqipëri ta çojmë në një tjetër standard. Natyrisht që një ndeshje e tillë kur të dy ekipet kanë pretendimet e tyre në kampionat nuk mund të luhej në një fushë sportive, por në një stadium. Prandaj mendoj se zgjedhja e bërë është në të mirë të futbollit.
Shumë akuza kanë ardhur ndaj jush, duke filluar nga Kukësi, që e ka quajtur Vllazninë aleatin tuaj. Ndonjë koment?
Nuk e di, pasi nuk kam asnjë informacion se sa të vërteta janë ato deklarata, por dua të them që gjithmonë ai që është i pari shihet ndryshe nga të tjerët. Me pak fjalë për ta thënë në gjuhën popullore, gjithmonë “pema me kokrra” goditet me “gurë”. Skënderbeu është në vendin e parë dhe ka ato pikë që ka me meritë të plotë pasi ka bërë mjaft mirë në kampionat. As nuk kemi pasur dhe as do të kemi kurrë aleatë pasi gjithçka i mbështesim në forcat tona.
Si do të ndikojë në rrjedhën e kampionatit ndryshimi i kalendarit?
Të jemi të sinqertë, nëse do të luajmë në shtëpi këtë takim do të thotë që fazën e ardhshme do të luajmë në transfertë dhe do të na bëhen më shumë ndeshje në transfertë në fazën e dytë. Kjo është e gjitha. Shoh një shenjë barazie në plotësimin e pjesës së parë të kampionatit.
Mendoni se në kushtet kur luani në shtëpi do ta keni më të madhe mundësinë që të thelloni diferencën në kampionat?
Skënderbeu është një ekip që nuk e ka problem se ku luan në shtëpinë e vet apo në transfertë pasi ne shkojmë kudo për të marrë maksimumin. Nëse e mendojmë shumë faktin që luajmë në shtëpinë tonë atëherë rrezikojmë të na kthehet në një “boomerang”.
E shihni të vështirë ndeshjen kundër Vllaznisë?
Normalisht që po, Vllaznia është një ekip që luan futboll të bukur dhe ka elementë mjaft të mirë në përbërje. Morali i ekipit është i lartë pasi vjen nga një barazim në Kukës ku mund të kishte marrë edhe më shumë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe për përqendruar për të mos i shkaktuar shumë probleme vetes por të respektojmë kundërshtarin aq sa e meriton.
Si vjen ekipi në këtë takim?
Vijmë nga një ndeshje impenjative në Europë, një paraqitje e mirë ku mund të kishim marrë më shumë dhe jemi të kënaqur me atë ç’ka kemi treguar në fushë përballë një ekipi që ka traditë në të tilla kompeticione. Megjithatë e kemi lënë pas krahëve atë takim dhe jemi të përqendruar vetëm tek ndeshja e radhës ndaj Vllaznisë. Kemi pasur pak ditë në dispozicion por mund t’ia dalim duke parë edhe grupin e plotë që kemi.
Partizani gaboi, prisni të thelloni diferencën edhe me Kukësin?
Ne shohim se çfarë bëjmë ne në një ndeshje të radhës dhe nuk na interesojnë shumë kundërshtarët aq kohë sa ne jemi përpara. Do të shohim vetëm punën tonë dhe kaq. Llogaritë do i bëjmë më vonë.
Tani që u rikuperua Nespor, mund të çlodhet Soue?
Është diçka që duhet të funksionojmë mirë para se të provohet në ndeshje. Mund të them se grupi është i plotë dhe alternativat janë, por do të kërkojmë fillimisht që të jemi sa më të balancuar në fushë. Se kush luan nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që të ruhen balancat në fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *