Daja: Skënderbe bindës, tani gati për Kairatin

 Trajneri kryeqytetas është i kënaqur me reagimin e skuadrës në ndeshjen e kthimit ndaj Sant Julia. Tanimë ai kërkon të përqendrohen te përballja me Kairatin

Leonard Trebicka

Pas fitores në ndeshjen e parë ndaj Sant Julia, në Korçë pati kritika të mëdha në lidhje me lojën dhe rezultatin, ndërkohë që pas fitores 5-0 në takimin e kthimit, duket se është kthyer besimi në radhët e bardhekuqve. Ka qenë trajneri Daja ai që dje ka folur pas kualifikimit në raundin e dytë, ndërkohë që fjalët e tij kreu i pankinës së Skënderbeut i ka thënë nga Stambolli, menjëherë pas mbërritjes në orët e vona të mbrëmjes.

Sant Julia – Daja së pari ka folur për fitoren e fundit 5-0 në Andorrë, duke u shprehur se as që e diskutonte kalimin në raundin tjetër, ndërkohë që thekson se i pëlqeu reagimi i skuadrës. “Asnjëherë nuk e vumë në diskutim kualifikimin ndaj Sant Julia. Edhe pas fitores minimale 1-0 që ne arritëm në Korçë, sërish isha i bindur që skuadra do të dinte të reagonte në takimin e kthimit. Gradualisht futbollistët po vijnë në formën e tyre më të mirë dhe këtë e treguan edhe në ndeshjen e fundit në Andorrë. Kishim mundësi të shënonim edhe më shumë gola, por rezultati në fund nuk më interesoi, pasi prisja reagimin e skuadrës dhe atë e gjeta. Vendasit ishin përgatitur dhe ëndërronin që mund të bënin mrekullinë, por unë e dija që aq forcë kishte Sant Julia. Për mua tani kjo përballje e raundit të parë ka përfunduar dhe dua të përqendrohemi maksimalisht te takimi i raundit tjetër ndaj Kairatit.”

Loja – Skënderbeu u kritikua fort pas ndeshjes së parë, teksa edhe drejtuesit e klubit dhe stafi teknik ishin të pakënaqur, pasi loja nuk ishte në asnjë moment nuk u ngjit aty ku të gjithë prisnin. Fitorja 5-0 në ndeshjen e dytë ka justifikuar besimin që kishte Daja ndaj të tijve, ndërkohë që më tej për lojën në ndeshjen e fundit tekniku kryeqytetas thotë: “Në përgjithësi ka qenë një lojë e mirë, por një trajner asnjëherë nuk kënaqet me ekipin e tij. Kishim mundësi të shënonim edhe më shumë gola, gjë që e theksova edhe më lart. Nuk më interesonte numri i golave, por të shënonim çdo rast të pastër që ne kishim përpara portës së Sant Julia. Doja këtë pasi në takimin e radhës ndaj Kairat nuk të vijnë raste të tilla. Lojtarët duhet të çliroheshin edhe më shumë. Unë e theksova që Skënderbeu vinte pas një faze përgatitore dhe nga ndeshja në ndeshje patëm rritje. Në ndeshjen e parë ne zhvilluam një lojë jo fort të mirë, ndërsa në ndeshjen e dytë ne bindëm deri diku, por kemi akoma shumë punë për të bërë dhe tani nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm që të shfrytëzojmë këto ditë që na kanë mbetur për të qenë gati për ndeshjen e radhës”, – ka vijuar midis të tjerash trajneri Daja.

Kairati – Kundërshtari i Skënderbeut në raundin tjetër, Kairat, është një skuadër vërtet e fortë dhe që synon edhe ajo nga ana e vet që të shkojë larg në kupat e Europës. I pyetur për ndeshjen me kazakët Daja deklaron: “Është një përballje e vështirë dhe unë them se të dy ekipet i kanë shanset e tyre për të kaluar ne raundin tjetër. Sigurisht që kush do të gabojë më pak do të kalojë më tej. Tani që erdhi momenti, nga dita e sotme do të mendojmë vetëm për Kairatin dhe kemi kohën e duhur për ta studiuar kundërshtarin. Edhe ata kanë fituar bindshëm në ndeshjet e para ndaj Atlantas dhe kanë lojtarë cilësorë në skuadër. Ndeshjen e parë e luajmë në Kazakistan dhe do të mundohemi shumë që të marrim që atje një rezultat pozitiv, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të tregojmë ato vlera që unë mendoj se i ka ky Skënderbe. Pra, e rëndësishme është që në këtë ndeshje të parë skuadra të zbatojë detyrat që do t’u caktoj. Kemi disa ditë kohë për të përgatitur këtë 90-minutësh. Duke qenë se ekipi në dy ndeshjet e para nuk ishte në 100% të formës, për vetë faktin se vinte nga faza përgatitore, tani mendoj se jemi në ritmin e duhur dhe do të kërkoj nga lojtarët që ta vlerësojnë që në këtë moment kundërshtarin, sepse pavarësisht se ndeshja luhet të enjten e ardhshme, për mua ka filluar që tani.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *