Daja: S’ishte dita e Tiranës, Alla e ka personale me mua

0
Trajneri i Tiranes, Ilir Daja, gjate ndeshjes se futbollit, Tirana-Flamurtari i Vlores, 1-2, e vlefshme per Kupen e Shqiperise, e luajtur ne stadiumin "Selman Stermasi", ne Tirane./r/n/r/nTirana's coach Ilir Daja, during the Albanian Cup football match, Tirana vs Flamurtari of Vlora, 1-2, at the "Selman Stermasi" stadium, in Tirana.

“Me Laver Allën është rast i përsëritur, sepse nuk është hera e parë që dënon ekipet që drejtoj unë. Gabuam në mbrojtje edhe për shkak të lëvizjeve në këtë repart. Me kartonët e kuq treguam amatorizëm”

Andi TANKU

Për trajnerin Daja, humbja e djeshme ndaj Flamurtarit “djeg”, por nuk duhet të pasohet me disfata të tjera. Nuk kanë munguar as rezervat e tij ndaj gjyqtarit Alla, ndërsa për kartonët e kuq të marrë nga Teqja dhe Hoxhallari, kreu i stolit të Tiranës shprehet se duhen shmangur episodet që dëmtojnë ekipit. Gjithsesi, vëmendja tashmë sipas Dajës do të kalojë te kampionati.

-Një humbje e papritur kjo për Tiranën?

-Erdhi në një moment që nuk duhej. Mendoj se nuk ishte dita jonë, sepse kishim raste në të dyja pjesët për të shënuar. Mendoj se Hugo që në fillim të ndeshjes duhej të tregohej disi më altruist dhe të pasonte për Kërçikun ose Likën. Nuk luajtëm në mbrojtje edhe pse kishim fituar në ndeshjen e parë, ndërsa qëndruam përpara edhe kur barazuam, sepse donim të gjenim edhe golin e sigurisë.

-Mos ndoshta u nënvlerësua Flamurtari nga lojtarët tuaj?

-Jo, aspak. Nuk kishim arsye. Pavarësisht humbjes, kemi treguar karakterin e Tiranës, duke dhënë maksimumin deri në fund, edhe pse me 9 lojtarë në fushë.

Çfarë nuk shkoi mirë?

-Si fillim, Flamurtari nuk e vodhi këtë sukses. Ne bëmë disa gabime në mbrojtje. Bëmë disa lëvizje të detyruara në këtë repart për shkak të mungesave. Do t’i shoh me vëmendje përmes pamjeve filmike.

-Si i gjykoni kartonët e kuq të marrë nga Tirana?

-Nuk duhet të sillemi si amatorë. Nuk duhet të ndëshkohemi për disa aksione në mesfushë dhe që janë të parrezikshëm.

-Keni rezerva për gjykimin?

-Nuk do doja të merresha me gjykimin. Por është një histori e përsëritur, sepse edhe sot (dje) ishte i njëjti gjyqtar, i cili përpara disa viteve kur gjykoja Besën na ka arbitruar në mënyrë skandaloze ndaj një skuadre që preferoj mos ta identifikoj. Pas asaj sfide, skuadra kavajase që unë drejtoja u dënua me 6 ndeshje pa tifozë. Ishte i njëjti gjyqtar, i cili pas disa muajsh përsërit të njëjtin gjykim në Berat ndaj Tomorit, ku për më tepër ajo ndeshje as nuk transmetohej një asnjë kanal televiziv. Edhe sot (dje) në bankinë isha i qetë dhe mundohesha të mos reagoja, pasi e dija se mund të përfundoja jashtë. Nuk e kam përfunduar asnjë ndeshje të plotë në stol në rastet që ka gjykuar ky arbitër.

-Po thoni se e ka personale me ju?

-Përderisa është një histori e përsëritur mendoj se e ka personale. Por boll me kaq, sepse po ia rris shumë vlerat që nuk i ka, duke e përmendur gjatë.

-Do ndikojë kjo humbje ndaj Flamurtarit, në sfidën e radhës që Tirana ka kundër Skënderbeut në kampionat?

-Edhe pse natyra ime nuk pajtohet me humbjen, ua thashë çunave në dhomat e zhveshjes se duhet të ngrenë kokën lart dhe të mendojnë për takimin e radhës. Duke parë karakterin që kemi treguar, besoj se do bëjmë maksimumin në Korçë.

-Sa shqetësuese janë mungesat?

-Në fakt kemi disa mungesa të rëndësishme, por do të mundohemi të përshtatemi me alternativat që kemi.

Daja i kërkon llogari

Allës në korridor

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Daja u drejtua për në dhomat e zhveshjes, ndërsa në korridoret e stadiumit i kërkoi llogari gjyqtarit kryesor, Laver Allës për disa nga vendimet e kryesorit të takimit Tirana-Flamurtari. “E përsërite prapë pas asaj që bërë në Kavajë. Këtë gjykim ke ndjekur edhe kur drejtoja Besën kundër Skënderbeut”, ishin disa nga fjalët që Daja i tha gjyqtarit Alla, duke iu referuar sfidës së sezonit 2012-2013, kohë në të cilën drejtonte skuadrën kavajase, ndërsa kundër korçarëve, gjyqtar kryesor ishte pikërisht kryesori lushnjar.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here