Daja: Rrezikuam shumë, ju tregoj planin që kishim!

Flamurtari arriti fitoren e dytë rresht në shtëpi, duke triumfuar përballë Kamzës. Goli i kroatit Bushiç i dha tre pikë kuqezinjve, të cilët renditen në vendin e gjashtë me 28 pikë.

Ilir Daja ka folur për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke analizuar fitoren e vështirë. Trajneri i Flamurtarit vlerëson ekipin për fitoren, sqaron zgjedhjet taktike dhe e mbyll me objektivat e klubit vlonjat.

FITORJA – “Ishte një rezultat shumë pozitiv, edhe Kamza luajti mirë. Në këto kushte, duke qenë ndeshja e parafundit, nuk prisnim spektakël. Nuk jemi mësuar të luajmë me topa të gjatë. Patëm probleme, Torasa e Alvesh sakrifikuan, sikurse i gjithë grupi. Na duheshin tre pikët për të qëndruar pranë skuadrave lart.”

LOJA – “Kur bëhet një ekip, projektohet me të gjithë lojtarët. Tani në fund i kemi të gjithë. Kale, Torasa e Alvesh kanë fituar formën fizike. Me pikët që kemi, për të mos harruar ndeshjen me Tiranën, në pjesën e dytë të sezonit mund të bëjmë diçka në drejtim të paraqitjeve.

GJENDJA FIZIKE – “Ka një rënie fizike dhe ju e dini se nëse sulmuesit nuk janë aktivë, e gjithë barra bie mbi ekipin që duhet të bëjë metra më shumë dhe të zmbrapset më shumë. Shumë lojtarë tanët nuk i përfundojnë dot 90 minutëshat. Kale sot për herë të parë luajti deri në fund. Nëse sulmuesit do ishin në gjendje të mirë fizike, nuk do na ndodhte kjo që të vuanim në fund sikurse me Laçin”.

ZGJEDHJET E BËRA – “I futa sulmuesit nga fillimi për ta zgjidhur sa më shpejt. Nxorëm 12 lojtarë në nxehe. Nisur nga terreni, duhet të shënonim shpejt. Sot na buzëqeshi fati, por ishte risk i madh që morëm duke futur tre lojtarë të programuar për t’u ndërruar”.

OBJEKTIVI – “Ekipi nuk është konsoliduar ende. Besoj se gjatë minifazës do të bëjmë më mirë, pasi do kemi gjithë grupin gati. Nuk i ndryshojmë objektivat menjëherë. të shohim si do shkojnë ndeshjet e para të vitit të ardhshëm. Mbetemi te objektivi Europë, por nuk do të thotë se nuk do të ndryshojmë rrugës”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *