Daja: Pika i takon lojtarëve, pa afrime do ta kemi të vështirë

Flamurtari dhe Teuta u ndanë në paqe në sfidën e luajtur në Durrës në stadiumin “Niko Dovana”, teksa çdo gjë u mbyll me shifrat 1-1. Pas ndeshjes, trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja ka folur për “Supersport” në emisionin “Gol pas goli”.

BARAZIMI – “Nganjëherë situata e vështira bëhen pjesë e motivimit më të madh te ekipi. Gjatë kësaj periudhe kemi punuar me Bushiç në sulm. Sot u munduam që të gjenim një zgjidhje me një seancë që kishim në dispozicion. Lojtarët treguan grintë në fushë dhe kjo më kënaq. Pika nuk ishte ndonjë qëllim i madh, por kjo pikë i takon lojtarëve të mi”.

LOJTARËT – “Kanë sakrifikuar në maksimum që të gjithë, sidomos kur ishim me 10 lojtarë. Në pjesën e parë e mbajtëm kundërshtarin në gjysmën e fushën e tij. Mund ta evitonim golin e barazimit. Kale nuk është në gjendjen e tij më të mirë. Alla dhe Veliu kanë sakrifikuar. Alla kishte 10 ditë pushim pasi ka qenë me grip, po ashtu dhe Veliu nuk ka qenë në kondicionin e tij më të mirë. U bashkuam të gjithë. Duhet të përgëzohet motivimi i këtyre çunave”.

SULMI – “Mbeten dhe pak ditë nga mbyllja e merkatos. Nuk ka shumë mundësi në merkaton e janarit. Na dëmtuan dhe largimet e lojtarëve, që do të thotë se duhet të ulemi dhe të bisedojmë me drejtuesit e klubit se çfarë do të bëjmë në këto ditë për t’u dhënë suport. Kemi dy mungesa në ndeshjen e radhës me Kalen dhe Torasën. Na mungon i gjithë sulmi. Do bisedojmë me drejtuesit që të kemi ndonjë prurje”.

E ARDHMJA – “Në momentin që marr vendime i marr me qetësi dhe jo me dozë emocionale. Kemi sakrifikuar dhe uroj që të sakrifikojmë të gjithë bashkë”.

OBJEKTIVAT – “Nuk e kam të vështirë që t’i motivoj. Motivimi i brendshëm është shumë herët më i mirë se ai që vjen nga stafi. Mendoj se edhe në këto kushte ku jemi, nëse do të ndërhyhet në këto ditë mund të pretendojmë diçka më tepër. Nëse jo do ta kemi të vështirë”.

SHPIRTI I GARËS – “Nuk kam pse të marr meritat për vete. Edhe në çaste vështirësie treguam mentalitet fituesi. Sot ekipi kishte grindë dhe shpirt skuadre, që është elementi i parë në një ekip dhe i falënderoj për atë që dhanë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *