Daja përpara Partizanit: Do djersijmë shumë, Imami nuk do luajë në pozicionin e tij

Skënderbeu luan një ndeshje tepër të vështirë kundër kampionëve në fuqi të Partizanit. Trajneri Ilir Daja ka qenë prezent në konferencën e sotme për shtyp për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Kreu i pankinës së korçarëve ka folur mbi merkaton e klubit të tij si dhe për rëndësinë e ndeshjes së radhës ndaj të kuqve.

“Ajo që është kryesorja është fakti që në këtë gjysmë të dytë të kampionatit e kemi të gjithë grupin në dispozicion përveç Pëllumbit, i cili vuan një dëmtim që nga viti i kaluar. Kemi mungesën e Dajën në këtë ndeshje të parë. Sa i përket merkatos, meqë jemi 10 ditë para mbylljes së merkatos së janarit, unë flas vetëm për transferimet zyrtare te Skënderbeu. Është transferimi i Imamit, një lojtar me eksperiencë pavarësisht se ne do na duhet që ta përdorim jo në pozicionin e tij që ka luajtur në këto vitet e fundit. Ndërsa afrimet e tjera nuk mund të themi asgjë më tepër përderisa nuk janë bërë zyrtare.

Duke qenë se nesër kemi një ndeshje të vështirë kundër Partizanit, ekipit kampion në fuqi që është një pretendent edhe këtë vit për fitimin e kampionatit, është një ndeshje tepër e vështirë. Vështirësia qendron edhe në faktin se kanë një staf të ri, që nuk është prezantuar bashkë me ekipin në asnjë ndeshje zyrtare. Kjo është e para dhe do na duhet të marrim informacion nëpërmjet lojës.

Por gjithsesi edhe nga krahu jonë e dimë që në ndeshje të tilla, siç kemi bërë edhe ndeshjet në pjesën e parë të kampionatit në ndeshjet me ekipet e forta dhe pretendente kemi qenë gjithmonë me motivim maksimal. Do të djersijmë shumë, do e kemi shumë të vështirë, por që do të pretendojmë të marrim 3 pikëshin edhe pse përballë kemi një ekip shumë të fortë. Nuk kemi merkato në dalje, të cilat duhet të njoftohen zyrtarisht. Mendoj që kontigjenti që kemi pasur nuk do të ketë rrjedhje në këtë 10 ditësh të mbetur të merkatos”, ka thënë Ilir Daja./Sport Ekspres/