Daja: Nuk luajmë kurrë për barazim, por duhet kujdes nga ky Luftëtar!

Trajneri i korçarëve, pavarësisht disa mungesave, pret që të tijtë të ecin me ritmin e mëparshëm. Vlerëson kundërshtarin dhe apelon për kujdes maksimal

Leonard Trebicka

Erdhi momenti për rinisjen e kampionatit dhe Skënderbeu luan sot në fushën e Luftëtarit, njërit prej ekipeve më simpatike për futbollin që luan. Gjirokastritët kanë bërë edhe disa afrime,ndaj dhe vlerësimi në kampin korçar është i madh për të. Trajneri Ilir Daja, me Sahitin, Takun dhe Gripshin jashtë grupit, por edhe Souenë në stol, kërkon fitoren nga të tijtë. Ai flet me vlerësim për Luftëtarin dhe me diplomaci për Bregun e Abazajn, ndërkohë që thekson se Skënderbeu nuk hyn në fushë për barazim.

– Daja, rifillon kampionati me transfertën ndaj Luftëtarit në Gjirokastër. Si vjen Skënderbeu në këtë ndeshje?

– Përveçse është një transfertë delikate, rifillimi është gjithmonë më i vështirë se fillimi nga e para. Duhet ta fillojmë aty ku e kemi mbyllur gjysmën e parë sezonit, me një paraqitje shumë të mirë. Menjëherë vjen një transfertë e vështirë si kjo e Gjirokastrës për faktin se në javët e fundit Luftëtari, përveç lojës së mirë, ka marrë rezultate pozitive. U kam thënë lojtarëve të mi se duhet të kemi shumë kujdes në këtë 90-minutësh.

– Një vlerësim për fazën përgatitore, si është gjendja e ekipit tuaj?

– Do ta quaja të suksesshme, duke ditur që pas pushimeve, ku lojtarët nuk monitorohen për aktivitetin e tyre dhe vijnë me gjendje të ndryshme fizike. Faza bëhet për kapjen e ritmit fizik edhe taktik. Mendoj se ne e kemi arritur. Jemi munduar që këtë javë ta fusim ekipin në një gjendje sa më të mirë në aspektin psiko-fizik. Nuk kemi pasur dëmtime, përveç Sahitit, por kjo është diçka normale. I gjithë grupi, me përjashtime të vogla, është në dispozicion. Do të vendosim se kush do të nisë ndeshjen nga minuta e parë.

– Edhe Soue ka pasur probleme. Si është realisht gjendja e tij?

– Soue do të jetë me ekipin në Gjirokastër, por mbetet për t’u parë, nëse do të jetë nga fillimi në fushë apo jo. Lojtari ka bërë stërvitje individuale, për shkak të ngarkesave, por do të jetë në dispozicionin tonë.

– Abazaj dhe Bregu në qershor do të jenë pjesë e Skënderbeut, kurse sot kundërshtarë…

– Janë dy individë, që kanë cilësi shumë të mira, por janë pjesë e Luftëtarit dhe nuk mund të flas më shumë. Janë kundërshtarët tanë në këtë takim. Karakteristikat e tyre janë shumë pozitive dhe e kanë treguar me aq sa kanë dhënë në futbollin shqiptar.

– Në këtë transfertë të vështirë, a do të kënaqeshit edhe me një barazim?

– Skënderbeu është “i dënuar” që në çdo ndeshje të fitojë. E ka potencialin e duhur për të bërë një gjë të tillë. Por kundërshtari është i rrezikshëm dhe duhet pasur kujdes. Na del për detyrë ta vlerësojmë si duhet në çdo moment. Një ndeshje i ka të tre rezultatet, por nuk hyjmë në fushë për barazim. Duam të fitojmë në çdo ndeshje për të vijuar drejt objektivit, që është titulli kampion.

– 9 pikë larg ndjekësit më të afërt, është një diferencë komode?

– Është një diferencë që na jep qetësi psikologjike, por duhet të qëndrojmë në këtë diferencë pikësh. Kampionati ka edhe shumë pikë në vazhdim dhe do të mundohemi jo vetëm ta ruajmë, por edhe ta thellojmë. Me punën që kemi bërë të gjithë bashkë, i kemi të gjitha mundësitë ta ecim përpara.

– Emiljano Vila do të jetë titullar?

– Vila është një lojtar me eksperiencë, ka qenë pjesë e ekipit kombëtar. Ka cilësi të mira individuale. Mbetet për t’u parë si do të ingranohet me manovrën e ekipit, pasi nuk ka shumë kohë që stërvitet me ne. Megjithatë, me eksperiencën që ka besoj se do të ndikojë pozitivisht tek ekipi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *