Daja: Nuk ka hapësirë për festë, lufta vazhdon

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka mbetur shumë i kënaqur nga fitorja kundër Skënderbeut, por refuzon të flitet për garë të mbyllur në lidhje me titullin kampion. Daja kërkon më shumë respekt dhe ndershmëri nga mediat, pas lajmeve të përhapura sot për tension mes tij dhe klubit.

– Daja, a mund të quhet se kjo fitore vlen një dorë te titulli?

– E kemi merituar fitoren, ndaj një rivali shumë të fortë si Kukësi. Në pjesën e parë shënuam të parët, pësuam një gol për një pakujdesi tonën. Më pas, në pjesën e dytë bëmë shumë pak gabime, shënuam dhe mbetëm me 10 lojtarë, por kundërshtari nuk është se na rrezikoi. Merituam gjithçka, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Në lojë janë shumë pikë dhe duhet të vazhdojmë ashtu si kemi bërë deri tani.

– Mungesa e Souesë, sa u ndie?

– Është një lojtar shumë i rëndësishëm, i cili ka potencial të rëndësishëm dhe shënon e ndihmon skuadrën. Megjithatë, edhe lojtarët që luajtën sot ishin të shkëlqyer dhe bënë që të mos ndihej mungesa e Souesë. Sidomos në pjesën e parë manovra sulmuese ka funksionuar shumë mirë.

 – Si shpjegohet tensionin gjatë ndeshjes?

– Para Vangjelit ishin dy situata të tjera, ku dy lojtarë të Kukësit mund të ndëshkoheshin me karton të verdhë. Për rastin e sherrit masiv, mendoj se faji nuk ishte i lojtarëve tanë, sepse ishte futbollisti i Kukësit (ai që tensionoi situatën. Nervozizmi nuk ishte në anën tonë, lojtarët e mi ishin më pak protagonistë në skenat e nervozizmit.

Si ka mundësi që mbrojtja lë shumë hapësira?

– Duke qenë se Lilaj po përdoret në disa pozicione, edhe më i avancuar, në disa momente skuadra çekuilibrohej dhe dhe patëm disa situata jo pozitive, sepse duhej të ishim të pozicionuar më mirë para mbrojtjes.

– A ju shqetëson fakti që shkëputja e madhe mund të ulë përqendrimin e skuadrës?

– Asgjë nuk është e mbyllur, duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, përndryshe gabojmë rëndë. Edhe pas përfundimit të ndeshjeve në Europë, do të kemi mundësi të përgatitemi edhe më mirë gjatë javës dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse diferenca me ndjekësit duhet të shërbejë vetëm për qetësi në aspektin psikologjik, që të shprehemi sa më mirë.

– A jeni ndier ndonjëherë në diskutim ditët e fundit, referuar lajmeve të fundit për tension mes jush dhe klubit?

– Ndoshta dikujt i intereson të krijojë tension artificial te Skënderbeu, ose dikush kërkon disa klikime më tepër. Nuk ka pasur asnjë situatë tensioni, janë të gjitha fantazi të portaleve, por duhet të bëjnë kujdes, sepse përballë kanë një klub dhe një individ që duan qetësi në punën e tyre dhe nuk duan të përhapen lajme të rreme.

– Udhëtimi në Bernë, objektiv fitorja?

– Duam ta mbyllim mirë, pse jo duke arritur një rezultat që do të sillte të ardhura financiare shtesë. Përveç kësaj, do të futim ndonjë lojtar të ri për promovim, por me kriter, sepse nuk mund të futim shumë lojtarë të rinj dhe të bjerë cilësia e lojës.

– Cili është rivali i Skënderbeut tani e tutje?

– Renditja thotë që edhe Kamza është rival, edhe Flamurtari, pa harruar Kukësin. Duke parë duke bërë, renditja flet vetë, por mua më intereson që Skënderbeu të vazhdojë të paraqitet ashtu si deri tani, pastaj pak rëndësi kush është pas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *