Daja: Nuk jemi favoritë, por do ta provojmë. Soue është super edhe pa shënuar

Ilir Daja është i qetë tashmë. Europa nuk është një tabu, Skënderbeu ka shkruar historinë, Daja ka shkruar historinë e vet dh në vazhdim gjithçka është një bonus. Çdo fitore vlen miliona, çdo pikë vlen miliona, imazhi është nv nivelet më të larta dhe presioni është shumë i ulët. Të jemi realistë, kalimi i fazës së grupeve është një mision thuajse i pamundur dhe vetëm një i çmendur do të konsideronte dështim mosrenditjen në dy vendet e para, ndaj edhe trajneri i Skënderbeut niset për në Ukrainë pa pasur frikë, duke premtuar se do ta provojnë, deri në fun.

DINAMO DHE GRUPI I NDËRLIKUAR – “Të gjithë ekipet që kemi kundërshtarë në kupat e Europës janë me një koeficient shumë të lartë vështirësie. Akoma më shumë edhe ndeshja që kemi në Kiev kundër ekipit që është në vazon e parë në short, që do të thotë se kualiteti dhe cilësia e kundërshtarit janë në një shkallë më superiore. Por, futbolli është një sport subjektiv, ku shpresohet gjithmonë. Ne tashmë kemi një rrugëtim në grupet dhe në ‘play-off’-in e Europa Ligës, që do të thotë se nuk jemi rastësisht këtu. Do provojmë shanset tona, duke pasur ndoshta edhe fatin me vete”.

KUALIFIKIMI – “Le të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ne duhet të vazhdojmë cilësinë e lojërave dhe të përballemi mirë në grupe. Pse jo, të shohim ndeshje pas ndeshje çfarë jemi në gjendje të bëjmë praktikisht, pasi teorikisht janë ekipet e tjera favorite. Futbolli i pranon të gjitha”.

SOUE SUPER – “Pavarësisht se Soue nuk ka shkuar te goli, edhe në ndeshjen e fundit kanë qenë dy veprime të tij, qoftë në marrjen e penalltisë, qoftë në asistin për Muzakën. Kjo do të thotë që është në rrugë të mbarë, sepse një sulmues matet me gola, por edhe dhe asiste, gjë që e ka bërë. Shpresojmë të ‘thyejë akullin’ për golat e shënuar. Gjithashtu shpresojmë të paraqitet në vazhdimësi kështu. Është një forcë e shtuar për ekipin, i ngelet të luajë në këtë nivel”.

FITORJA NDAJ FLAMURTARIT – “Ishte vetëm ndeshja e parë e kampionatit. Ne si objektiv primar kemi fitimin e titullit kampion dhe ky është fokusi i të gjitha energjive tona psiko-fizike. Paralelisht synojmë të bëjmë edhe një paraqitje të mirë në kupat e Europës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *