Daja: Nuk është vendimtare, ekipi motivohet vetvetiu

Trajneri i bardhëkuqeve kërkon vetëm 3 pikët në sfidën me rivalin direkt për titull. Pranon se fitorja ndikon për më tej, por nuk është se zgjidh gjithçka

Leonard Trebicka

Për trajnerin e Skënderbeut, ndeshja e sotme me Kukësin nuk është vendimtare sa i takon titullari kampion, pasi përpara janë edhe shumë ndeshje të tjera, mes të cilave edhe dy përplasje direkte me këtë rival. Por kreu i stolit korçar pranon se fitorja e sotme do të sillte një shkëputje të konsiderueshme, që do ta bënte me komode rrugën e Skënderbeut për të shkuar te titulli. Sipas tij, lojtarët nuk kanë nevojë të karikohen një ndeshje si kjo e sotmja, pasi e dinë shumë mirë rëndësinë e saj. Ja intervista e plotë e trajnerit Daja:
– Daja, nesër (sot) përballja ndaj Kukësin rival. E vështirë?
– Përballemi me ndjekësin më të afërt dhe duke parë problemet që ka gjithë Shqipëria me motin e keq, mund të ishte e arsyeshme që kampionati të shtyhej. Por do të veprojmë sipas konfirmimit që ka dhënë FSHF-ja dhe do ta luajmë edhe këtë takim. Pa diskutim që do të futemi në fushë vetëm për tri pikët. Në fazën e parë bëmë lojën tonë në Kukës dhe e merituam fitoren, këtë do të bëjmë edhe nesër (sot) për të shkuar te një tjetër fitore.
– U fol shumë që ky takim nuk do të luhej. Ju ishit përgatitur për të dy vendimet?
– Jemi përgatitur këto ditë vetëm për ndeshjen ndaj Kukësit dhe nëse do të vendosej të mos luhej, do të ndryshonim programin stërvitor. Madje, edhe seancat teorike i kemi bërë në funksion të këtij takimi. Asgjë nuk ishte në dorën tonë në këtë emergjencë civile, gjithçka vendosej nga FSHF-ja dhe ja që do të luajmë.
– Me gjithë këtë amulli, nuk do të luhet dhe më pas do të luhet, mos ndoshta menduat më shumë për Jang Bojsin?
– Jo, tashmë e kemi në praktikën e punës që i marrim ndeshjet një e nga një. Jemi të fokusuar vetëm te ndeshja ndaj Kukësit. Vetëm nëse vinte konfirmimi zyrtar që nuk do të luhej, atëherë do të mendonim për takimin e Zvicrës.
– Realisht, duhej shtyrë kjo javë mes gjithë këtyre reshjeve dhe problemeve me terrenet?
– Këtë vendim nuk e marr unë dhe nuk jam unë ai që duhet t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Janë të tjerët që vendosin. Vendosën të luhet dhe do të luhet. Ne jemi 100% gati.
– Nëse shtyhej edhe ky takim, do të bëheshin shumë, pasi kujtojmë që edhe dy javë të tjera janë shtyrë për vitin tjetër
– Në Europë, datat e ekipeve që luajnë në kupat e Europës janë të përcaktuara dhe në bazë të atyre formatohet edhe kalendari. Në fillim askush nuk e mendonte që Skënderbeu do të kalonte katër ture dhe kështu u desh të rikompozohet kalendari dhe dy javë të zhvendoseshin në janar. Ne në çdo 3-4 ditë luajmë. Ajo që do të jetë minus për ne, është minifaza përgatitore që në janar do të jetë e ngjeshur, pasi kampionati fillon më 20 janar. Me këtë dua të them se do të bëjmë një ngjeshje të seancave stërvitore.
– Nëse Skënderbeu fiton me Kukësin, mund të themi se është me një dorë te titulli kampion?
– Mund të them se nëse fitojmë, do të vazhdojmë me ecurinë e mirë dhe do të shkëputemi më shumë. Çdo fitore është një trepikësh i munguar për kundërshtarin dhe kjo nuk është pak. Ka dhe shumë ndeshje të tjera deri në fund dhe ky takim nuk vendos përfundimisht titullin kampion.
– Si e ka përgatitur trajneri i Skënderbeut këtë 90-minutësh?
– Kemi punuar dhe menduar shumë për këtë takim. Sot (dje) i dhamë dorën e fundit ekipit dhe jemi përgatitur në kushte disi të vështira, pavarësisht se dihet që Korça ka infrastrukturën më të mirë. Sot (dje) kishim prezentë edhe ankthin, nëse do të luhej apo jo dhe në fund mësuam vendimin. Kemi pasur një ditë kohë më shumë se herët e tjera, pasi ju kujtoj që në Lezhë aktivizova lojtarët e stolit. Besoj se jemi gati për këtë përballje.
– Në Kukës fazën e parë arritët ta mposhtnit rivalin. Çfarë do të thotë ky fakt?
– Do të futemi në fushë për të pretenduar fitoren, por kur ndeshesh me vendin e dytë, nëse do të arrish këtë objektiv, duhet të jesh i karikuar 100%. Këtë gjë lojtarët e kanë dhe tani le të shohim se çfarë jemi në gjendje të bëjmë në fushë.
– Cilat janë anët pozitive dhe negative të Kukësit?
– Kukësi është si çdo ekip tjetër, që ka anët e veta pozitive dhe negative. Ua kam bërë të ditur futbollistëve, siç bëj zakonisht. Janë elementë që i përdorim për vetë, nuk i ndajmë me medien.
Cila është gjendja e futbollistëve përpara kësaj ndeshjeje, pasi Vangjeli nuk u aktivizua me Partizanin për shkak dëmtimi?
– Vangjeli është rikuperuar dhe ka vazhduar normalisht stërvitjen me grupin këto 2-3 ditë. Edhe ndaj Partizanit ishte i gatshëm në stol, por menduam të mos e rrezikonim, sepse një lojtar si Vangjeli më mirë të mungojë një ndeshje se sa të mos luajë për javë me radhë.
– Pas Kukësit, vjen ndeshja ndaj Jang Bojs..
– E kemi zhvilluar një takim në fakt ndaj këtij kundërshtari në Elbasan. Informacionet i kemi për kundërshtarin, por duhet të shikojmë ato ndryshime që ky ekip ka bërë gjatë këtyre javëve. Pas Kukësit gjithçka do të jetë në fokus të përgatitjeve për takimin në Zvicër. Duhet të vazhdojmë performancat pozitive. Është ndeshja e fundit e grupit dhe mendoj sae duhet ti bëjmë një mbyllje të mirë përfaqësimit në Europë. Janë edhe koeficientët të shtuar, nëse marrim rezultat pozitiv, pra e vlerësojmë ndeshjen.
Thuhet se Skënderbeu në janar do të huazojë disa futbollistë. Nëse po, mund të na thoni cilët janë?
– Në politikën e klubit është pjesë edhe huazimi, sepse kur një lojtar nuk gjen hapësirat e duhura, i bën më mirë kalimi te një ekip tjetër. Këtë e kam për çdo lojtar që vjen te Skënderbeu. Nëse një lojtar do të bëjë një hap përpara, duhet të përballet me rivalitetin dhe të tregojë vlerat për ta marrë me forcë fanellën e titullarit. Emra nuk mund të them se cilët mund të jenë, pasi nuk mendojmë që tani për janarin. Do të shohim se çfarë mund të afrojmë për të thënë se cilët do të huazohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *