Daja nuk do paragjykime: Skënderbeu, në gjysmëfinale!

0

Leonard Trebicka

“Jemi munduar që me programimin e seancave stërvitore të ruajmë formën e duhur fizike në të dy kompeticionet. Për të shmangur çdo paragjykim për lojën tonë në Kupë, Skënderbeu nesër (sot) do ta tregojë se e do këtë trofe. Nëse do të ishte ndryshe, do të shihnit qartazi një rotacion të madh në ekip. Kjo nuk do të ndodhë. Kemi grupin të plotë dhe jemi gati të përballojmë të dy kompeticionet, – theksoi mes të tjerash në intervistën për “Sport Ekspres” trajneri Ilir Daja. Nga korçarët nuk do të ketë nënvlerësim të Kupës. Ja intervista e plotë e trajnerit Daja:

– Daja, nesër (sot) ndeshja e kthimit me Laçin. Si e prisni, duke pasur parasysh barazimin 1-1 në fushë kundërshtare?

– Do të deklaroja me bindje se ndeshja ndaj Laçit do të jetë delikate. Vërtet barazimi me gol në fushë kundërshtare është një rezultat i mirë për ta interpretuar më lehtë ndeshjen e kthimit, por ky rast ndryshon disi. Duhet të jemi të përqendruar, duke menduar sikur takimi i parë të ketë ka përfunduar 0-0. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi më të kujdesshëm për gjithçka.

– A do të ketë rotacion në ekip, pasi kalendari është shumë i ngjeshur?

– Jo, absolutisht jo. Kjo përgjigje del pas pyetjes që ju më bëtë më sipër. Do të hedhim në fushë formacionin më të mirë, pra ata lojtarë që kanë gjendjen e tyre fizike më të mirë për momentin.

– Si vjen Skënderbeu në këtë takim të dytë çerekfinale?

– Kemi vetëm dy mungesa. Xhejms është mungesa e parë, pasi ka pësuar një kontraktim në takimin e fundit dhe do të qëndrojë pushim. Edhe Sebino Plaku mungon, pasi është me gjendje gripale dhe nuk do ta rrezikojmë. Të gjithë të tjerët i kemi në dispozicion.

– Ndoshta është momenti i Gripshit të luajë titullar…

– Besoj se nesër (sot) do ta merrni vesh kush do të zbresë në fushë, por alternativë e fortë është Gripshi. Një tjetër alternativë është Gavazaj.

– Tri fitoret radhazi në kampionat ju kanë ngjitur në vend të dytë. Sa i kangur jeni?

– Një nisje e mirë për vetë kohën që kemi pasur në dispozicion. Mendoj se për të pasur mentalitet fituesi nuk duhen vetëm 3 ndeshje, por vazhdimësia, ajo e bën diferencën në të tilla raste. – Kukësi është 4 pikë para jush. Sa e vështirë është të rikuperohet kjo diferencë?

– Duke parë pikët e shumta që janë në lojë, për faktin se është luajtur ndeshja e tretë e fazës së tretë, kjo diferencë mund të rikuperohet. Janë edhe 15 ndeshje të tjera për t’u luajtur. Ne do të fokusohemi vetëm te gara jonë dhe më pas të shohim çfarë ecurie do të kenë rivalët.

– Por lufta në dy kompeticione mund ta lodhë ekipin tuaj?

– Jemi munduar që me programimin e seancave stërvitore të ruajmë formën e duhur fizike për të dy kompeticionet. Për të shmangur çdo paragjykim për lojën tonë në Kupë, do të tregojmë se e duam këtë trofe. Nëse do të ishte ndryshe, do të shihnit qartazi një rotacion të madh në ekip. Kjo gjë nuk do të ndodhë. Ne e kemi grupin të plotë dhe jemi gati të përballojmë të dy kompeticionet.

– Së fundi, jeni i bindur që Skënderbeu do të kalojë në gjysmëfinale të Kupës?

– E theksova më lart se do të luajmë me formacionin më të mirë, prandaj kalimi në gjysmëfinale është detyrim dhe e vetmja alternativë për ne.

Sot me titullarët, Gripshi

zëvendëson Xhejmsin…

Shumë aludime ka pasur kohët e fundit në lidhje me “dhuratat”, që bëjnë ekipe të ndryshme në kompeticione të ndryshme. Korçarët, me në trajnerin Ilir Daja, sot nuk do të falin ndaj kurbinasve, pasi e duan Kupën. Të gjithë do të shikojnë sot formacionin më të mirë në fushë, sepse kështu ka vendosur stafi teknik dhe drejtuesit. Xhejms ka një dëmtim të lehtë dhe nuk do të jetë pjesë e formacionit. Burime pranë stafit bëjnë me dije se sot do të ketë vetëm një ndryshim në krahun e djathtë të sulmit, ku do të jetë titullar Nazmi Gripshi, durrsaku i ardhur në Korçë në merkaton e dimrit. 4-3-3 do të jetë sërish rreshtimi i bardhekuqve, me Shehin në portë, Vangjeli, Micin, Radasin dhe Jashanicën në mbrojtje, Osmani, Lilaj dhe Orelesi në mesfushë, dhe Gripshin, Latifin dhe Salihin në sulm. Skënderbeu e ka vlerësuar maksimalisht Laçin dhe do të kërkojë vetëm kalimin më tej.

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut, 4-3-3

Shehi; Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici; Osmani, Lilaj, Orelesi; Gripshi, Latifi, Salihi

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image