Daja: Nuk bëj rotacion, i duam të dy trofetë

Trajneri i Skënderbeut: Jemi kthyer në ritmin e mëparshëm dhe nuk e ulim vigjilencën asnjëherë. Si Kukësi, edhe Flamurtari, do ta meritonin vendin e dytë

Leonard Trebicka

Skënderbeu pret nesër Lushnjën për javën e 24-t, por as 14 pikë diferencë nuk e bindin trajnerin Ilir Daja të bëjë rotacion. Ai kërkon që titulli të sigurohet sa më parë matematikisht dhe pret që të tijtë të vazhdojnë me po këtë impenjim dhe po këtë ritëm. Është i kënaqur, e pranon, por nuk pranon kurrsesi që ndeshja me Lushnjën të quhet e lehtë. Trajneri i Skënderbeut beson se ky është sezoni i duhur për të fituar të dy trofetë.

– Daja, të shtunë ndeshja e radhës ndaj Lushnjës. Ka qenë kjo një javë e qetë për Skënderbeun?

– Do të thosha se ka qenë një javë me më shumë ditë në dispozicion. Ajo që dua të veçoj është se entuziazmi vazhdon të jetë i pranishëm për rezultatet pozitive që kemi marrë deri tani. Po vazhdon njëkohësisht edhe plotësimi i kontigjentit. Kemi pasur probleme në javët e kaluara, ndërsa sot nuk kemi të tilla dhe sigurisht që në përgjithësi ka qenë javë e qetë.

– A e ka fituar Skënderbeu ritmin e mëparshëm me fitoren e fundit ndaj Laçit?

– Besoj se kemi bërë goxha mirë në ndeshjen e fundit ndaj Laçit. Kundërshtari i fundit ka një renditje të mirë dhe ka objektiva për Europën, por kemi qenë ne ata që kemi diktuar në atë ndeshje dhe them se ekipi e ka rifituar ritmin që prisja.

– Me Lushnjën duket një ndeshje e lehtë për Skënderbeun, apo jo?

– Jo. Dua të kujtoj një humbje, që Skënderbeu e ka pësuar në shtëpi ndaj Tërbunit të Pukës. Ai takim, përpara se të luhej u vlerësua formalitet dhe u humb. Nuk do të lejoja asnjë gabim ndaj Lushnjës së vendit të fundit. Ata kanë një skuadër të mirë, që u kanë hapur probleme shumë kundërshtarëve, prandaj po kërkoj dhe do të kërkoj vlerësim maksimal.  

– Këto fjalë i thoni, sepse i trembeni euforisë në ekipin tuaj apo surprizës së lushnjarëve?

– Ne duhet të futemi në fushë me përqindje të madhe të motivimit, për të vazhduar në fund të fundit të bëjmë atë që kemi bërë mirë deri tani.

– Edhe 13 javë nga fundi, kur mendoni se do ta mbyllni çështjen e titullit kampion?

– Do të vazhdojmë deri në fund, kur matematika të na ketë dhënë këtë të drejtë për t’u quajtur kampionë. Prandaj për ne rruga është e gjatë deri në fund. Kur ta mbyllim çështjen e titullit do të jemi të qetë.  

– Kukësi apo Flamurtari, kush mendoni se do të renditet në vend të dytë?

– Të them të drejtën, nuk kisha dëshirë të prononcohesha për këtë çështje. Si Kukësi, edhe Flamurtari, kanë zhvilluar një kampionat të mirë dhe të dy do ta meritonin vendin e dytë.

– Zhurmën e fundit në lidhje me dënimin e mundshëm nga UEFA, skuadra nuk e ka ndjerë në fushë…

– Do të thotë që jemi një ekip, që edhe në situata të tilla jo shumë pozitive di ta kthejë gjithçka në favorin e tij. Skënderbeu është i fokusuar vetëm te stërvitja dhe të marrja e rezultateve pozitive. Më kënaq fakti që kemi bërë mirë deri tani.

– Mezi po prisni fundin për titullin kampion, apo mezi po prisni të mësoni vendimin për Skënderbeun?

– Kam për detyrë ta përgatis ekipin për të bërë më të mirën. Sigurisht, presim edhe zhvillimet nga UEFA për të shpresuar që gjërat të marrin drejtimin e duhur për Skënderbeun së pari dhe më pas edhe për futbollin shqiptar. Vendimi do të jetë edhe për futbollin në përgjithësi dhe jo vetëm për ne.

– E keni takuar presidentin Takaj gjatë këtyre ditëve dhe nëse po, çfarë ju ka thënë për situatën?

– Jo, nuk e kam takuar presidentin, i cili ka qenë i preokupuar për çështjen e UEFA-s. Plus kësaj, kemi pasur edhe dy ndeshje në Korçë dhe kemi qenë këtu, ndërsa presidenti jo. Shpresoj që një takim të tillë ta kem të shtunën.

– Keni rastin të bëni edhe rotacionin të shtunën. Keni planifikuar gjë në këtë drejtim?

– Nuk do ta bëj rotacionin as me Lushnjën këtë fundjavë. Kjo për arsye se nuk dua ta ulim aspak ritmin. Do të luajnë lojtarët që janë më në formë.

– Jeni në garë edhe për Kupën e Shqipërisë. Këtë vit do t’i shkoni deri në fund?

– Kupa e Shqipërisë është objektivi i dytë i klubit. I kemi të gjitha mundësitë që t’i fitojmë të dy trofetë këtë vit dhe mbetet për t’u parë në fushën e lojës çfarë jemi në gjendje të bëjmë.

– E mendonit që në start se kampionati do të ishte kaq i lehtë për Skënderbeun?

– Nuk e kisha menduar asnjëherë dhe nuk ishte e lehtë asnjëherë që javë pas jave të fitonim. Të gjitha ekipet kanë qenë të karikuar shumë ndaj nesh. Në Superligë ndodhin gjithmonë të papritura dhe mund të gabosh me ato ekipe që nuk i vlerëson. Deri tani kemi pasur performancë të mirë dhe këto rezultate kanë ardhur, sepse kemi bërë mirë dhe kështu duhet të vazhdojmë.

– Së fundi, Vllaznia apo Teuta, kush mendoni se rrezikon më shumë qëndrimin në Superligë, si i parashikoni javët deri në fund?   

– Do të thosha se ka edhe shumë pikë në lojë deri në fund. Janë dy ekipe me mjaft traditë në futbollin shqiptar dhe me sistemin trepikësh ndryshojnë situatat, si për njërën skuadër, ashtu edhe për tjetrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *