Daja: Një hap që sot, kupës i shkojmë deri në fund

0

Leonard Trebicka

Pak ditë pas goditjes që mori në kryeqytet nga Partizani, Skënderbeu luan një ndeshje shumë të rëndësishme për Kupën e Shqipërisë, që në një farë mënyre bëhet objektiv parësor tani për korçarët. Sot luhet gjysmëfinalja e parë me Teutën në Korçë, ku kampionët, me pak shanse për titullin, duhet të afrohen me finalen, pse jo dhe ta sigurojnë atë që në 90 minutat e para. Por nuk do të jetë aspak e lehtë dhe në këto pak ditë trajneri Daja dhe stafi i tij janë munduar të marrin masat për ta kaluar me sukses këtë ndeshje, që për më tepër luhet pa tifozë.
DAJA – Heshtjen e shtypit në kampin e Skënderbeut, që ishte në fuqi që disa ditë para ndeshjes me Partizanin, e ka thyer dje trajneri Ilir Daja, i cili ka dalë në një konferencë shtypi para seancës së fundit stërvitore. Ai ka folur për gjendjen e ekipit në këtë moment dhe reagimin që pret nga të tijtë ndaj Teutës. “Jemi munduar të përqendrohemi te ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Teutën, pasi kemi arritur në gjysmëfinale të këtij kompeticioni dhe duhet ta fitojmë atë. Duhet të Respektojmë ecurinë që ka pasur ekipi deri tani. Humbëm ndeshjen e fundit në kampionat, por paraqitja jonë ishte e mirë. Jam i mendimit se, nëse luajmë me atë ritëm dhe atë dëshirë në çdo ndeshje të mbetur të sezonit, do të jemi në garë si në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Për të qenë i sinqertë, titulli është vështirësuar shumë, por, kur janë 27 pikë në lojë, nuk ka si të dorëzohemi. Besojmë deri në fund, për vetë gjendjen që kemi. Ndeshja në Vlorë ndoshta është përcaktuese për kampionatin, por tani kemi përpara Teutën dhe dua t’ia bëjmë shërbimin si duhet kësaj ndeshjeje. Kualifikimi sigurisht që zgjidhet pas 180 minutash, por në ndeshjen e parë duhet të bëjmë një hap të sigurt, për të mos i komplikuar gjërat në vazhdim” – theksoi fillimisht trajneri i korçarëve, duke bërë një përmbledhje mes kampionatit dhe Kupës.
PSIKOLOGJIA – Më tej, numri 1 i stolit korçar, i pyetur sa ndikon psikologjikisht fakti që ekipi ka lënë shumë pikë javët e fundit, u përgjigj: “Po, ngërçi ka qenë në drejtim të rezultatit, pasi lojtarët kanë luajtur mirë, sidomos me Partizanin. Një ekip, që pretendon titullin kampion, ta mbash në zonën e vet shumicën e ndeshjes dhe të pësosh në vetëm një situatë, është një siguri. Prandaj them se gjendja psikologjike nuk është e lëkundur. Ekipi duhet të ruajë këtë ritëm dhe të jetë i motivuar maksimalisht, ashtu si me Partizanin. Sigurisht, duke mos kaluar në aventurë. Na ka munguar fati në shumë ndeshje.”
TEUTA – “Kupa ka një specifikë tjetër nga kampionati dhe çdo gol i pësuar është minus i madh. Kështu, me Teutën duhet shumë kujdes. Të gjithë lojtarëve u është dhënë rasti të tregojnë vlerat e tyre. Për momentin, formacioni më i mirë është ai që luajti me Partizanin. Nuk kemi probleme fizike, sepse edhe stoli është mirë. Kupa është objektivi ynë i dytë, pasi kampionati është primar. Por, meqenëse jemi në gjysmëfinale, do të mundohemi ta marrim këtë trofe. Teuta do të vijë për rezultat pozitiv dhe edhe barazimi do të ishte një plus për të. Mendoj se do të jenë dy ndeshje të hapura, por nuk t’i lëmë asgjë ndeshjes së kthimit, kështu që nesër (sot) duhet të bëjmë gjithçka për një fitore të pastër. Duhet edhe një reflektim pas atyre rezultateve të javëve të fundit. Skënderbeu ka një potencial të madh dhe duhet ta shfrytëzojë atë”, – përfundoi trajneri i ekipit korçar, Ilir Daja.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image