Daja: Me Lilajn dhe Xhejms ia dalim, presidentit i përgjigjemi me fitore

 

Skënderbeu do të kryej seancën e fundit stërvitore në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”. Para se të nisin përgatitjet e fundit, në konferencën për shtyp trajneri Ilir Daja ka folur për ndeshjen e nesërme, duke vendosur theksin tek evidentimi i gabimeve në ndeshjen e parë, por dhe sinjale për lëvizje në formacion. Një mesazh për presidentin por dhe i bindur se në “Elbasan Arena”, do të ketë mbështetje maksimale. Pikat e dobëta të kundërshtarit? Jo për tu thënë, por për tu shfrytëzuar nesër në fushë.

“E kemi analizuar ndeshjen e  parë dhe kemi veçuar pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit, për të marrë masat e duhura për të shkuar drejt një fitoreje dhe kualifikimit. Është e vështirë por me goli në fushën kundërshtare dhe me një lojë të organizuar kemi shanset tona për të vazhduar më tej”.

 

“Do të thosha se pak a shumë secila skuadër ka veçorinë e vet. Të dyja skuadrat kanë individë me kualitet, por ajo që ndryshon tek Mlada është se ka më shumë lojë grupi se Kairat, pasi e shprehën dhe në ndeshjen e parë. Edhe ne gabuam dhe dhuruam mjaft topa në zonat e rrezikshme madje më shumë sesa veprime sulmuese të kundërshtarit. Të dyja janë skuadra të forta, uroj që të kualifikohemi si me Kairatin”.

 

“Është normale që me kthimin e Xhejms dhe Lilaj, që janë dy forca të shtuara rritet dhe rivaliteti për fanellën e titullarit, kjo vlen për lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen e parë. Dy lojtarë më shumë si Silaj që ka eksperiencë dhe Xhejms që është titullar, do të bëjnë që faza sulmuese të jetë në nivelin e duhur”.

 

“Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe pragmatist. Të jemi të kujdesshëm dhe të mos i lëmë hapësira kundërshtarëve. Primar mbetet loja në grup”.

 

“Pikat jo të forta të kundërshtarit i kemi analizuar si grup, nuk mund të bëjmë të ditur se ku janë këto pika, pasi duam t’i shfrytëzojmë nesër. Siç nuk ishim ne në klimën e duhur, kësaj radhe duhet t’i vuaj kundërshtari. Nëse kanë frikë klimën do të jetë një bonos për ne sepse jemi më të përshtatur. Do të ishte shumë më mirë të luhej në Korçë por besoj se tifozët nga e gjithë Shqipëria nuk do na mungojë. Suporti i tifozëve do të jetë një vlerë e shtuar”.

 

“Nuk është e mira të merrem me replika, po ajo që duhet thënë është që kur fiton ekipi është e të gjithëve dhe kur ekipi paraqitet dobët duhet të marrim të gjithë përgjithësi dhe presidenti. Është më e lehtë për t’ia deleguar trajnerit. Nëse është mendimi i presidentit uroj që nesër t’ia kthejmë me një fitore”.

 

“E gjithë skuadra e startoi keq, me përjashtim të kapitenit Shehi. Ishin gabime individuale që nuk duan të ndodhin në një skuadër si Skënderbeu sepse kanë potencialin teknik për të mos i bërë ato gabime, kanë qenë disa faktorë që ne ishim në atë gjendje në pjesën e parë të cilat nuk dua t’i bëj të njohur”.

 

“Nëse ne do të luanim në Korçë do të ishim përshtatur mjaft mirë, por edhe këtu do të kemi të njëjtën mbështetje. Jemi si në shpinë tonë dhe ndjehemi mirë. Më kujtohen momente në 2006 kur drejtoja skuadrën e këtij qyteti dhe arritëm të fitonim titullin kampion”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *