Daja: Luajmë për rezultat, jo për të promovuar lojtarë

0

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli në konferencë për shtyp pas ndeshjes, por më gjatë diksutoi në lidhje direkte me Supersportin, pas humbjes së djeshme në Kiev. Trajneri i skuadrës korçare i gëzohet lojës së mirë në pjesën e parë, duke e pranuar se duhet të punohet shumë për të rregulluar gabimet e pjesës së dytë: “Do ta ndaja ndeshjen në dy pjesë, sepse luajtëm 45 minutat e para mjaft të mira dhe pjesa e dytë ishte e vështirë. Mund të kishim bërë diçka më shumë, por patëm dy mungesa dhe u detyruam të bënim ndërrime. Ndoshta nuk do të kishte ndryshuar asgjë, sepse gjithçka ndodhi shumë shpejt, pastaj mund të ndërroja edhe Jashanicën, i cili pësoi një dëmtim në pjesën e parë dhe u detyruam të prisnim. Stafi mjekësor më tha që ishte në rregull, ndaj nuk e ndërrova më herët”.

 

Formacioni – “Luajtëm me më të mirët e mundshëm. Mungoi Gavazaj, me probleme shëndetësore, por të tjerët ishin titullarët. Ndoshta në të ardhmen klubi mund të kërkojë të promovojë disa të rinj, por në këtë takim të parë luajtëm me më të mirët e mundshëm.

Dinamo – “Dinamo e Kievit u ndesh këtë verë me Jang Bojs, duke fituar 3-1 në Ukrainë, por u mund 2-0 në Zvicër. Kjo do të thotë që do të kemi përballë një ekip që funksionon mjaft mirë dhe është shumë i zoti në aspektin sulmues. Fituam një eksperiencë shtesë në ndeshjen ndaj Dinamos, do të mundohemi të rregullojmë pak ritmin e lojës dhe do të mundohemi të bëjmë diçka pozitive, edhe pse duket shumë herët për ekipet shqiptare që të pretendojnë kualifikimin, por do të mundohemi.

Superiorja – “Tani e kemi mendjen te kampionati, sepse prioritet kemi titullin kampion. Do të kalojmë nga Kievi në Kamzë, ku do të na duket edhe më bukur, sepse kampionatin e vlerësojmë më shumë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse kampionati është bërë shumë i vështirë dhe duhet të ulemi me këmbë në tokë, kampionati është qëllimi kryesor dhe duhet të jemi në maksimum aty.

Lodhja – “Shpresoj të mos ndikojë, sepse nuk është e lehtë të përballohet në Shqipëri. Klubet e huaja kanë stafe mjekësore të kompletuara dhe punohet shumë për riaftësimin e lojtarëve, por ne kemi rreth 20 lojtarë në gjendje të mirë fizike dhe do të bëjmë rotacion të mjaftueshëm sa për të mos humbur në cilësi dhe në rezultate.

Strategjia e klubit për të reklamuar talentet e rinj – “Të jemi realistë, një pjesë e rëndësishme e të ardhurave të klubit janë nga shitja e lojtarëve jashtë vendit. Për këtë arsye, rezultatet e mira dhe paraqitjet e mira në Europë janë shumë të rëndësishme. Klubi ka vite që ndjek një strategji të caktuar për të rritur vlerën e lojtarëve dhe për t’i evidentuar, por çdo lojtar që shihet si i piketuar për t’i shitur duhet të vihet në funksion të grupit, për të ndihmuar ekipin dhe për të përfituar edhe vetë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image