Daja: Lilaj e Xhejms, mungesa të rëndësishme

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, totalisht i fokusuar te ndeshja e së enjtes ndaj Mladës, ka pranuar se mungesat e Lilajt dhe Xhejmsit janë të rëndësishme për ekipin e tij. “Për mua, Mlada ndryshon nga Kairati. Skuadra kazake kishte individë shumë të mirë, por e kam studiuar tashmë edhe Mladën dhe dua të them se ka një grup goxha të mirë. Janë 180 minuta për t’u luajtur dhe që do të përcaktojnë se kush kalon më tej, por ne kemi punuar dhe po punojmë në këto seanca të fundit, në mënyrë që ta përgatisim sa më mirë ndeshjen në Çeki.

Një rezultat i mirë në takimin e parë do të na e bënte më të lehtë punën. Ajo që na ka shqetësuar janë dy mungesat e rëndësishme të Lilajt dhe Xhejmsit, dy lojtarë të formacionit, vlerat e të cilëve dihen. Duhet ta kemi shumë kujdes Mladën dhe shpresoj që të marrim më të mirën nga kjo përballje e parë,” – tha dje, para stërvitjes, trajneri Ilir Daja.

Edhe çekët me probleme

Jo vetëm Skënderbeu, pasi edhe kundërshtari i tyre, Mlada Boleslav, mund të ketë një mungesë në ndeshjen e së enjtes. Bëhet fjalë për një lojtar të rëndësishëm, sepse në dyshim për ndeshjen me Skënderbeun është sulmuesi Jan Hramosta, i cili shënoi në ndeshjen me Shamrokun. Hramosta ka probleme fizike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *